Shqetësuese: Qytetarët grumbullohen para bankave për t’i marrë ndihmat sociale

Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të mos i përfillin thirrjet për të mos u tubuar në numër të madh dhe për të mos qëndruar në afërsi të njëri-tjetrit, shkaku se mund të përhapin coronavirusin.

Pas rastit të djeshëm gjatë shpërndarjes së ndihmave nga dy kompani private, edhe sot po ndodhë e njëjta gjë, vetëm se tani në gjithë Kosovën, ku numër i madh i qytetarëve po tubohen në afërsi të bankave për të marrë ndihmën sociale të qeverisë.

Me këtë rast, nuk po respektohet as vendimi i qeverisë, që në rrugë mund të dalin vetëm nga dy persona bashkë, edhe atë duke mbajtur distancë së paku dy metra në mes të njëri – tjetrit.

Këto pamje janë në qytetet e Gjilanit dhe Gjakovës, ku qytetarët po presin para bankave për të marrë ndihmën sociale të alokuar nga qeveria, për dy muaj njëkohësisht.

Kosova, por edhe i gjithë rajoni ka hyrë në fazën e rrezikshme të shpërndarjes së coronavirusit, i cili po përhapet në gjithë botën. Vetëm dje në Kosovë janë konfirmuar edhe 28 raste të reja me këtë virus.