Shkollat

Shqetësimi i mësimdhënësve me nxënësit që zotërojnë më mirë anglishten sasa shqipen

Rrëshqitja e komunikimit nga gjuha amtare në atë angleze te nxënësit është shndërruar në shqetësim në klasat mësimore. Mësimdhënësit thonë se nxënësit e zotërojnë më mirë në komunikim gjuhën angleze sesa gjuhën amtare. E mësimdhënës të anglishtes thonë se kjo është “gjuhë digjitale” dhe se nxënësit kanë probleme të formulojnë një fjali gramatikisht korrekte në gjuhën angleze

“Çka kemi pas kësaj ore” i drejtohet Liri në gjuhën angleze shoqes së tij të bankës, Nilës. Komunikimet e përditshme këta dy vogëlush në klasën e katërt në shkollën fillore “Iliria” në kryeqytet i zhvillojnë në gjuhën angleze.

Liri thekson se duke komunikuar në gjuhën angleze arrin më lehtë të tregojë karakterin.

“Mundesh me u shpreh si të duash dhe më lirë, nuk kam nevojë me mendu a me fol me gramatikë a qysh foli n’shtëpi”, thotë 9-vjeçari.

Fatmire Fejzullahu e cila ka mbi njëzet vjet që ushtron profesionin e mësimdhënëses në shkollën “Iliria”, ka thënë se rrëshqitja në komunikim nga gjuha amtare në atë angleze nga nxënësit është shndërruar në shqetësim në klasat mësimore.

“Në këtë gjeneratë në këtë kohë gjuha angleze flitet më tepër se gjuha shqipe. Besom kam probleme me lëndët e mia, pasi detyrohem që shumë herë t’ua tërhiqi vërejtjen nxënësve që në lëndën time të mos flitet gjuha angleze”, ka treguar ajo. “Nota mesatare në gjuhën angleze është më e lartë se në gjuhën shqipe”, ka theksuar Fejzullahu.

Edhe kolegia e saj, mësimdhënësja e ciklit të ulët, Gresa Sejdiu, ka thënë se nxënësit e zotërojnë me mirë në komunikim gjuhën angleze sesa gjuhën amtare. E sipas saj, kjo është rezultat i lundrimit të nxënësve me orë të tëra në botën digjitale.

“Shpesh në klasë ku fëmijët e kanë ditë apo e kanë gjet shprehjen e duhur më shpejt në gjuhën angleze sesa në gjuhën shqipe”, ka thënë ajo. “Kjo ndoshta si shkak i teknologjisë, kontaktit me rrjete të ndryshme sociale, kontaktit me aplikacione të ndryshme, gjë që këto aplikacione mungojnë kryesisht në gjuhën shqipe”, ka deklaruar Sejdiu.

Por mësimi i gjuhës përmes teknologjisë ka bërë që ata të jenë folës të gjuhës digjitale. Vjollca Ramabaja, mësimdhënëse në shkollën “Dardania”, tregon se nxënësit kanë probleme të formulojnë një fjali gramatikisht korrekt në gjuhën angleze.

“Në bashkëpunim edhe me mësimdhënësit e gjuhës angleze na kanë tregu që ata dinë të komunikojnë por sa i përket gramatikës kanë problem”, ka thënë ajo. “Për këtë arsye shumë herë kanë kontradikta ose kanë probleme me prindërit sepse kërkesa e tyre është që fëmija të ketë notë shumë të lartë pasi fëmija dinë të komunikojë në gjuhën angleze por se planprogami kërkon diçka tjetër”, ka thënë Ramabaja.

Mungesa e shkathtësive për të zotëruar rrjedhshëm gjuhën shqipe është problem i shpërfaqur edhe në vendet e rajonit ku shqipja është gjuhë amtare.

Hulumtimet sugjerojnë se zhvillimi i shkathtësive të komunikimit në gjuhën amtare ndikon pozitivisht në zhvillimin kognitiv, veçanërisht në fusha të tilla si zgjidhja e problemeve, të menduarit kritik dhe kreativiteti. Sipas një studimi nga psikologia kanadeze, Ellen Bialystok, dhe profesori në Universitetin Stanford, Kenji Hakuta, në vitin 1994, fëmijët bilingualë që janë të aftë në gjuhën e tyre amtare kanë tendencë të tejkalojnë bashkëmoshatarët njëgjuhësh në zgjidhjen e detyrave mësimore. Po ashtu, gjuha është pjesë përbërëse e trashëgimisë kulturore. Hulumtimi i gjuhëtares finlandeze, Tove Skutnabb-Kangas, thekson rolin e ruajtjes së gjuhës amtare në ruajtjen e diversitetit dhe trashëgimisë kulturore. Sipas saj, përpjekjet për rigjallërimin e gjuhës janë thelbësore për ruajtjen e gjuhëve indigjene dhe promovimin e qëndrueshmërisë kulturore.