“Shpresoj që të ndryshojnë mendim”, iniciatori i peticionit për Trustin pret përkrahjen e deputetëve

Iniciatori i peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit, Adnan Jashari, shpreson që deputetët e Kuvendit të Kosovës të respektojnë kërkesën e 21 mijë e 398 qytetarëve.

Jashari tha se deputetët duhet të kenë parasysh që kjo është kërkesë ekskluzivisht e qytetarëve dhe jo e një partie opozite.

“Shumica e qytetarëve në komunat ku kemi qenë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të nënshkruar këtë peticion dhe janë arritur 21 mijë e 398 nënshkrime për ta riproceduar projektligjin përsëri në Kuvendin e Kosovës. Ne presim që kësaj radhe pasi kërkesa është ekskluzivisht prej qytetarëve të Kosovës dhe nuk është direkt nga një parti opozitare presim që deputetët e Kuvendit t’i thonë PO dhe të votohet herën e ardhshme kur të dalë në votim”, tha ai në Klan Kosova.

“Shpresoj që ky peticion t’iu ndryshojë mendje, duke pasur parasysh që herën e kaluar kur dështoi akuzat ishin se ndoshta opozita po tenton të mashtrojë popullin e Kosovës apo po del kundër Qeverisë së Kosovës me krijimin e projektligjit për Trustin. Por, tash që edhe qytetarët janë shprehur pro me nënshkrimin për tërheqje është e drejtë kushtetuese ligjore. Presim që ky numër i qytetarëve që kanë nënshkruar të arrijë te veshët e deputetëve”.

Mes tjerash, Jashari tha se nëse edhe kësaj radhe dështon riprocedimi i këtij projektligji, atëherë qytetarët do të protestojnë.

“Peticioni fillimisht i dorëzohet KQZ-së për t’i vërtetuar të gjitha nënshkrimet dhe se a janë qytetarë me të drejtë vote, në afat prej 15 ditësh KQZ-ja do të na kthejë përgjigje pastaj kalon në komision parlamentar dhe i dërgohet pyetja qeverisë për projektligjin. Shpresojmë që edhe Kuvendi edhe Qeveria mos t’i vonojnë hapat ligjor prej 30 ditësh për përgjigje”.

“Në shtator është paralajmëruar që do të ketë krizë edhe më të thellë, kur dështoi herën e parë qytetarët u shprehën të revoltuar dhe të njëjtit thoshin që edhe tash nuk dëgjohen kërkesat e tyre nëpërmjet nënshkrimeve atëherë si zgjidhje e fundit prej tyre do të jetë protesta,” tha Jashari.