Shpresë: Shërohen dy pacientë me COVID-19, lënë spitalin

Pas lajmit tragjik se dy pacientë me COVID-19, humbën jetën në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë njoftoi ditën e sotme edhe një lajm të mirë. Dy pacientë të tjetër, bartës të virusit të rrezikshëm janë shëruar dhe kanë lënë spitalin Infektiv ditën e sotme.

Numri i të shëruarve në Shqipëri ka arritur tashmë në pesë pacientë.

“Kemi dhe një lajm të mirë në këto ditë të ngarkuara, sot kanë lënë shërbimin infektiv dhe 2 pacientë të tjerë, duke e çuar në 5 numrin e të shëruarve”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ndërkohë, dy personat që humbën jetën orët e fundit janë një 71-vjeçar me disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe një 43 vjeçar, i cili kishte obezitet. Në total, deri tani në vendin tonë kanë humbur jetën katër persona.

Sot numri i të infektuarve u rrit me 15 raste të reja, duke regjistruar kështu 104 persona të infektuar me koronavirus.