Shpjegimi shokues i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës: Semenya biologjikisht, burrë

Vjen kundërpërgjigjja shokuese e Federatës Ndërkombëtare të Atletikës për rastin “Semenya”.

Organi më i lartë i atletikës, në argumentet e paraqitur në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës këmbëngul se atletja e distancave të mesme nga Afrika e Jugut, Caster Semenya, është biologjikisht mashkull.

Kjo e fundit e kundërshtonte rregullin, sipas të cilit, për të marrë pjesë në garë, duhet të ulte nivelin e testosteronit me anë të medikamenteve.

Pasi e humbi çështjen në KAS, Semenya i është drejtuar Gjykatës Federale në Zvicër një muaj më parë, duke pretenduar se duhej të pranohej në garat, që janë specialiteti i saj. Gjykata Federale e Zvicrës e ka pezulluar përkohësisht normën e vendosur nga IAAF me 8 maj për atletet me gjini të papërcaktuar qartë.

Në dokumentin prej 163 faqesh në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, paraqitet historia e këtij procesi gjyqësor, ku shpjegohet teza se Semenya është nga ato altete që “biologjikisht është burrë, por me tipare të identitetit të gjinisë femërore”.

Para KAS-it Semenya u shpreh: “Ndihem e lënduar në atë mënyrë që s’mund ta shpjegoj me fjalë”. Norma e IAAF, përkohësisht është pezulluar, por Semenya që nga ajo ditë ende nuk ka marrë pjesë në ndonjë garë.