Shpjegimi i ekspertit italian: Pse vijojnë tërmetet në Shqipëri

Tërmeti i 26 nëntorit i cili goditi vendin tonë, ka sjellë në Shqipëri disa prej ekspertëve më të njohur në botë në fushën e sizmiologjisë. Pas tërmetit 6.4 ballë, lëkundjet vijojnë, ndonëse me magnitudë më të dobët.

Profesori i gjeologjisë në Universitetin L’Aquila, Antonio Moretti ka parë nga afër dëmet e shkaktuara nga tërmeti në zonat e prekura. Moretti thotë se gjitha e ka një shpjegim.

“Jemi mbi një vijë, midis Afrikës dhe Europës, që po afrohen. Kalabria është e mbështetur në detin e lashtë të quajtur Thetis, që po fundoset duke lëshuar energjinë e tij. Deti Jon, Kalabria por dhe Apeninet italiane po afrohen drejt Adriatikut për shkak të shtyrjes nga Afrika. Është e njëjta gjë që i ndodh Lindjes, kështu që deti ulet në mënyrë të theksuar, lëshon energji në mantel duke ngrohur shkëmbinjtë që ngrihen në formën e magmës. Kjo është një zonë që merr presione nga shumë anë, jo vetëm nga Deti i Zi”, shpjegon profesori italian.

Por Antonio Moretti thotë se Italia dhe Shqipëria, megjithëse zona sizmike tepër aktive, nuk janë më të rrezikuarat.

Nga ky këndvështrim, Turqia, harku helen dhe zona që kufizon Detin e Vdekur janë më kritiket, sepse ato janë në vijën e pllakave që ndan dy kontinentet, përkatësisht bllokun aziatiko-evropian nga njëra anë dhe gadishullin Arabik së bashku me Afrikën në anën tjetër”, shpjegon Moreti.

Eksperti italian thotë se kjo është çarja e dytë në botë pas asaj të San Andreas në Kaliforni, që ka shkaktuar tërmete me përmasa gjigante.

“Duhet të mësohemi të jetojmë me tërmetet, duke u siguruar që të mos na i rrëzojnë më shtëpitë”, përfundon Moretti.