Shpifjet e tmerrshme serbe, akuzuan UÇK-në në Hagë se dëboi rreth 1 milion kosovarë në Shqipëri dhe Maqedoni

Trafikimi me organe, shtëpia e verdhë, vrasja e fëmijëve serbë në Pejë, vrasja e patriotëve shqiptarë, por edhe e bashkëpunëtorëve të Millosheviqit, nuk janë të vetmet krime që Beogradi ia ka veshur UÇK-së dhe e ka akuzuar. 

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është akuzuar në Tribunalin e Hagës edhe për spastrimin etnik, dëbimin masiv, me dhunë, të qindra mijëra shqiptarëve, gjatë bombardimeve të NATO-s, në pranverë të vitit 1999.

Këto akuza janë deponuar në vitin 2011 nga dy gjeneralë serbë, udhëheqës të krimeve gjatë luftës në Kosovë, komandanti i policisë Sreten Lukic dhe Nebojsa Pavkovic, komandanti i ushtrisë serbe. Të dytë kanë mbajtur edhe pozita tjera të larta në shtetin e Millosheviqit dhe në kohën kur pushtetin e morën të vetë quajturit demokratë serbë.

Pasi janë dënuar për krime të rënda lufte në Tribunalin për ish-Jugosllavinë, Lukic e Pavkovic, me mbrojtjen e tyre kërkuan nga trupi gjykues në Hagë që të rishikohet dënimi dhe rasti i tyre në instancën e apelit për shkak se “dëbimin e rreth 700 mijë shqiptarëve gjatë vitit 1999 nuk e kishin bërë policia dhe ushtria serbe, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Ata kanë kërkuar nga Tribunali i Hagës që për ta vërtetuar këtë të ftohet të dëshmojë edhe Dick Marty, që asokohe kishte arritur famë botërore me raportin e tij, por që edhe ky doli i rrejshëm.

Në mocionin e tyre, ata janë ankuar se edhe NATO është e përfshirë në dëbimin e shqiptarëve, prandaj përfaqësues të saj dhe organizatave tjera ndërkombëtare nuk po e dëshmojnë të vërtetën që rreth 1 milion shqiptarë u dëbuan nga Kosova për në Shqipëri, Maqedoni dhe vende tjera nga UÇK dhe frika për mobilizim të dhunshëm, si dhe nga bombardimet e NATO-s.

Sipas dy gjeneralëve serbë, ata kishin vështirësi të sjellin në Hagë dëshmitarë shqiptarë nga Kosova që ta vërtetonin këtë.

Mirëpo, trupi gjykues i përbërë nga pesë gjykatës ndërkombëtarë, kanë hedhur poshtë këto akuza, me aktgjykimin e publikuar më 12 maj 2011. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe prokuroria e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë.

Pavarësisht se akuzat ishin plotësisht të rrejshme dhe të tilla kanë ardhur në vazhdimësi nga Beogradi zyrtar kundër pjesëtarëve të UÇK-së, nuk është se nuk janë arritur rezultate dhe qëllime politike me to.

Qindra pjesëtarë të UÇK-së janë hetuar, ndjekur dhe dënuar nga prokurorë dhe gjykates ndërkombëtarë të UNMIK-ut dhe EULEX-it, me ndihmën e dosjeve të punuara në Serbi.

Edhe tani, 23 vjet nga përfundimit i luftës, me dosje nga e njëjta adresë, në Hagë po gjykohen krerë dhe pjesëtarë tjerë të UÇK-së.

Gjyqi i nisur ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, mbi bazën e raportit me trillime të Dick Martyt, do të vazhdojë më 10 maj, me vazhdimin e dëshmisë së dëshmitarit të tretë të panjohur.