Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka thënë se janë shpeshtuar kërcënimet nga militantët e kryekriminelit, Millan Radojçiq, ndaj serbëve të Kosovës.
Si pasojë e këtyre kërcënime kanë pësuar edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal në Leposaviq, Gorski Guriq, të cilit ia kanë djegur veturën si dhe zyrtari komunal, Slajdan Mijajloviq.
“Je i vdekur”, shkruante një grafit në veturën e Mijajloviq.
Vokrri ka theksuar se shërbimi sekret serb është duke maletretuar këta serbë që kanë pranuar institucionet e Kosovës.
“Djegia e veturës së Kryesuesit të Kuvendit Komunal në Leposaviq, z. Gorski Gurić, vie pas shpeshtimit të kërcënimeve nga militantët e Radoićićit kundrejt serbëve që i kanë përzënë nga oborret dhe institucionet. Dje e patë grafitin ‘JE I VDEKUR!’ në veturën e z. Sladjan Mijajlović, zyrtar komunal në Leposaviq. Edhe maltretimi fizik i kolegëve të këtyre nga ana e shërbimit sekret dhe policisë së regjimit fashist të Beogradit, sa herë kalojnë tek familjarët në Serbi, bëhen me të njejtin mesazh: ‘mos u afroni me shqiptarët e mos e pranoni Kosovën për shtetin tuaj!’”, ka shkruar Vokrri në Facebook.
Gjersa ka shprehur mirënjohje dhe i ka inkurajuar serbët e Kosovës të mos gjunjëzohen nga presioni i terroristëve, Vokrri ka thënë se disa media kosovare po ia bëjnë “argatin” presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“Sot më shumë se kurrë duhet të shfaqim mirënjohje dhe t’i inkurajojmë qytetarët serbë të Republikës së Kosovës që të mos gjunjëzohen nga presioni i terroristëve, por as nga propaganda e disa mediave tona të cilat ia bëjnë argatin Vučićit në agjendën për destabilizim dhe gjymtim të Kosovës. Angazhimi im në Veri ka qenë dhe vazhdon të jetë për afirmim dhe inkurajim të serbëve që të mos ndihen të braktisur e të tradhtuar për besnikërinë e tyre në ndërtim të institucioneve tona”, ka shtuar Vokrri.







