Shpërthimi në Ferizaj: Një qytetare thotë se vëllain ia hoqën nga lista për dërgim në Turqi, kërkon ndihmë për mbledhjen e fondeve

Mbi 40 persona kanë mbetur të lënduar nga shpërthimi i një bombole gazi në një restorant në Ferizaj. Në mesin e tyre, i lënduar rëndë ka mbetur edhe Fidan Gashi.

Motra e tij ka shkruar në Facebook se Qeveria kishte premtuar t’i dërgojë për trajtim në Turqi të gjithë të lënduarit që ishin në gjendje kome, por thotë se nga lista e kanë hequr vëllain e saj. Kësisoj, ajo ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për trajtimin mjekësor të Fidanit.

“Ne rastin e shpërthimit së bombolës së gazit në Ferizaj ka qenë i pranishëm edhe vëllai im me gruan, babin dhe vajzën por që ata janë në gjendje më të mirë shëndetësore. Qeveria premtoi që do të dërgojë të gjithë të lënduarit në gjendje kome në Turqi, por në momentin e fundit u njoftuam që familjarin tonë Fidan Gashi e kanë hequr nga lista. Tani na duhet të mbledhim fonde që ta dërgojmë atje”, ka shkruar ajo, duke publikuar edhe numrin e xhirollogarisë.

“Çdo ndihmë është më së e nevojshme. Ju lutem shpërndajeni”, ka shkruar ajo.