“Shpërthen” nepotizmi në KEK| Përkrahësit e LVV-së i punësojnë masivisht familjarët e tyre në pozitat e lira

Rreth 40 persona nga ata që u punësuan së fundmi në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë lidhje familjare me të tjerët që mbajnë pozita në këtë ndërmarrje, shumica e të cilëve janë të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

Gjatë ditëve të fundit kanë dalë rezultatet për disa konkurse të shpallura nga KEK-u, për pozita të ndryshme.

Demokracia.com merr vesh se edhe Drejtori i Auditimit të Brendshëm, i zgjedhur nga Bordi i emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje, Ismet Vrapçani, e ka punësuar të birin e tij, Nol Vrapçani.

Kjo konfirmohet edhe në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com të rezultateve të konkursit, ku shihet se emri i tij figuron në listë si i pranuar.

Për më tepër, Demokracia.com mëson se në konkursin ku ka garuar Nol Vrapçani është kërkuar që të ketë të kryer shkollën e mesme të xehtarisë, ndërsa i njëjti ka përfunduar gjimnazin. Në llogarinë e tij në Facebook, vërehet se Vrapçani është përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, ky nuk është i vetmi që u “rehatua” falë familjarit të tij në një pozitë në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Edhe Tahir Musliut, i punësuar në KEK dhe përkrahës i LVV-së, i është punësuar i biri Fitim Musliu. Kështu, ai ka dalë i pari në konkursin për pozitën “Zjarrfikës”, raporton Demokracia.com.

I dyti është Albinot Bërbatovci. Për këtë të fundit, Demokracia.com raportoi gjatë ditës së premte se ka pasur një denoncim në rrjetin social Facebook nga Patriot Brahimi.

Brahimi ka thënë se në testin me shkrim kishte marrë 70 pikë dhe pas intervistës kur ishin mbledhur pikët nga dy testet, atij në fund i kanë dalë vetëm 54.1 të tilla, raporton Demokracia.com.

Ylli Shala, kryetar i komisionit për teknik të makinerisë dhe përkrahës i LVV-së, i cili ka edhe fotografi me kryeministrin Albin Kurti, ia ka siguruar një vend pune vëllait të tij, Bamir Shalës.

Sipas burimeve brenda KEK-ut, Bamir Shala është punësuar tani në KEK dhe në komision ka qenë shoku i Ylli Shalës, Tahir Musliu. Megjithatë, Shala nuk ekziston në këto lista.

Kryeministri Kurti ditë më parë duke arsyetuar krizën energjetike, të cilën nuk e menaxhoi aspak mirë, e cila rezultoi me shtrenjtimin e faturave për qytetarët e Kosovës dhe me kërkesa të opozitës për themelim të Komisionit Hetimor, tha se në KEK ka pasur shumë vjedhje dhe vendime të gabuara gjatë viteve të kaluara, raporton Demokracia.com.

Me të ardhur në pushtet për herë të dytë, Kurti në korrik të vitit 2021 përmes bordit të emëruar nga vetë ai e kishte shkarkuar Fadil Sejdiun, drejtor i Burimeve Njerëzore në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Shkarkimi i tij, siç u tha përmes një raporti të auditorit gjeneral, erdhi për shkak të punësimeve që janë bërë në KEK, pa e respektuar Ligjin e Punës.

Demokracia.com ka mësuar se të gjithë emrat e hijëzuar në këto lista janë të punësuarit e rinj në KEK.