Forca e Sigurisë së Kosovës e ka shpërthyer njërin prej ortekëve në Brezovicë.

Ekipet e Forcës së Sigurisë sot e kanë shpërthyer ortekun tek Qafa e Luanit dhe Foleja e Shqiponjës, raporton Ballkani.info.

Rreziku nga ortekët e mundshëm kishte bërë që Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës të mbajë të mbyllur për turistët gjatë këtyre ditëve Qendrën e Skijimit në Brezovicë.

Kjo agjenci kishte kërkuar FSK-ja ta bëjë rrëshqitjen dhe largimin e dy ortekëve potenciale.

Pas një takimi me përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së për gjendjen aktuale në Brezovicë, kjo agjenci kishte dalë me një konkludim se 5 nga 7 pikat kritike për ortekët nuk paraqesin rrezik për vizitorë, kurse dy prej tyre ishin me rrezikshmëri të mesme.

Njëri prej tyre u detonua sot, kurse tjetri pritet të detonohet nesër. /Ballkani.info/