Shpërndahen protestuesit në Graçanicë

Me pankartat “Të lirohen serbët tonë të pafajshëm”, “Drejtësi për popullin serb”, “Mos i kriminalizoni serbët”, qytetarët serbë protestuan para Stacionit të Policisë në Komunën e Graçanicës.

Ata kërkuan lirimin e Dragisha Milenkoviq, i cili është arrestuar nga policia gjatë së mërkurës.

Rreth orës 13:00 protestuesit u shpërndanë ndërsa nuk është regjistruar ndonjë incident.

Ndryshe, Dragisha Milenkoviq dyshohet se si gardian i burgut në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se ka ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë.

Zyrtarët policorë kanë zbatuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit dhe në cilësinë e provave materiale kanë sekuestruar një armë zjarri-revole e tipit “Zastava” cal.9mm, 136 fishek të kalibrit 9x19mm, thikë ushtarake e tipit SOG Speciality Knives, shufër metalike “Taiëan”, dokumente, vendime, notes dhe telefon personal.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se përgjegjësit e krimeve të luftës në Kosovë duhet të vihen para drejtësisë.

Sveçla ka thënë se arrestimi i Milenkoviq ka ndodhur pas një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës.