Ish-zëvendës ministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, ka propozuar që partitë politike të marrin masa ndaj deputetëve që kanë mashtruar lidhur me shpenzimet e udhëtimit.

Thaçi ka propozuar që këta deputetë të japin dorëheqje nga pozita e deputetit dhe në qoftë se nuk e bëjnë një gjë të tillë atëherë ai propozon që partia ta [përjashtoj nga grupi parlamentar.

Në fund ai ka thënë se prokuroria dhe gjykatat duhet të ndërmarrin masa ndaj të gjithë deputetëve që kanë mashtruar.

Më poshtë gjeni propozimet e Jusuf Thaçit:

Nëse konfirmohet se ndonjë deputet/e ka mashtruar në lidhje me shpenzimet e udhëtimit, përkatësisht ka përvetësuar para publike përmes mashtrimit, atëherë:

1. Ai/ajo duhet të japë dorëheqje nga pozita e deputetit, sepse më nuk e ka as integritet e as legjitimitet për ta përfaqësuar qytetarin.

2. Nëse ai/ajo nuk jep dorëheqje, atëherë është detyrë e subjektit politik që i përket ai/ajo që ta largojë nga grupi parlamentar dhe nga partia (meqë mandatin e deputetit nuk mund t’ia marrë). Nëse partia nuk ndërmerr asgjë ndaj tij/saj, atëherë është bashkëfajtore për këtë mashtrim.

3. Prokuroria dhe gjyqësia duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ndaj atij/asaj deputeti/eje për mashtrim dhe përvetësim të parasë publike në mënyrë të kundërligjshme, sepse deputetët nuk kanë imunitet për vepra penale.

Ndërsa, rastet tjera kur deputetët e shfrytëzojnë këtë të drejtë që ua mundëson legjislacioni në fuqi, pa e keqpërdorur, ky është diskutim krejt tjetër.