‘Shpend Maxhuni është dorëhequr pasi e ka ndier se është i tepërt me konfigurimin e ri politik’

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë se në botën perëndimore dhe SHBA është normale që me shkuarjen e Presidentit të shkojë edhe Shefi i Shërbimit Inteligjent.

“Drejtori i CIA ofron dorëheqjen me t’i përfunduar mandati Presidenti, për shkak të objektivave të reja të presidentit të ri”.

Për dorëheqjen e Shpend Maxhunit nga pozita e Drejtorit të AKI-së, Kajtazi ka thënë se edhe ai është larguar sikur të gjithë të tjerët – pas anomalive në këtë institucion.

“ Maxhuni po e bën këtë në një fazë kur ka përfunduar një proces zgjedhor që ka ndërruar skenën politike kosovare. Ai është i vetëdijshëm që nuk është i përshtatshëm për përbërjen e re të Qeverisë së Kosovës”.

“E ka ndier veten të tepërt në konfigurimin e ri politik”.

Ndërsa për raportimet se Maxhuni mund të emërohet Ambasador i Kosovës në Turqi, ai ka thënë se një person që drejton AKI-në gjithmonë duhet të sistemohet në një pozitë të dinjitetshme, por që në këtë rast nuk do të ishte e përshtatshme.

“Një person që udhëheq me shërbimin inteligjent dhe nuk ka vepër penale duhet të sistemohet në një vend të dinjitetshëm, sepse ai e ka në tru gjithë sigurinë e vendit. Ata duhet ta zënë një vend dinjitoz. Por nëse kombinimi është bërë për ambasador, Presidenti ka mandatin e dekretimit, nëse është bërë me këtë kombinim mendoj që nuk përket me institucionin ku Maxhuni ka punuar”.

Kajtazi ka theksuar se Maxhuni ka qenë i afërt me Presidentit Hashim Thaçi dhe strukturat e PDK-së.

loading…