Shpend Ahmeti thotë se Kosova duhet qysh tash t’i nis procedurat për sjelljen e vaksinës antiCOVID

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka folur edhe njëherë rreth vaksinës për COVID-19. Në një postimi në Facebook ai ka thënë se pas porositjes së vaksinës, duhet të caktohet procedura e përdorimit të drejtë me prioritete.

Ai ka thënë se duhet të sigurohet sasi minimale ku me prioritet do te vaksinoheshin punëtorët shëndetësorë, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Ahmeti tutje ka shkruar se të gjitha shtetet janë duke punuar në përgatitjet logjistike për vaksinë.

“Porosia e dozave është veç njëra pjesë. Transporti në -60 gradë dhe logjistika e distribuimit të vaksinave janë sfida që kërkojnë planifikim. Sipas të gjitha gjasave Gjermania fillon me 15 dhjetor e Britania e madhe ndoshta edhe më herët. Sipas parashikimeve, në ShBA do të duhen rreth 6-8 muaj që vaksinën ta marrin mjaftueshëm njerëz”, ka shkruar ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet që krahas porosisë menjëherë ta bëj gati edhe planin e distribuimit, duke shtuar se duhet të kërkojë nga komunat që të dorëzojnë plane operative.

“E di që ju duket herët të diskutojmë tani, por mos diskutimi tani na shkakton humbje të dy muajve në fund”, ka shkruar ai.