Edhe pse kanë kaluar tre muaj kur kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte deklaruar se për këtë vit janë ndarë 3 milionë euro për implementimin e shtigjeve të biçikletave, ende nuk është parë ndonjë nismë e këtij projekti, anipse jemi në gjysmë të vitit.

Ballkani.info ka kontaktuar me Komunën e Prishtinës, për të pyetur se në cilën fazë është ky projekt, por edhe pas tri ditësh, nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Shtegu i vetëm i çiklistëve që ka Prishtina, është ai në rrugën B, megjithatë sipas çiklistëve të Prishtinës, është i pakalueshëm nga mjetet e tjera në komunikacion.

Ky shteg ishte ndërtuar në kohën sa me Prishtinën qeveriste Isa Mustafa, pra gati gjashtë vjet më parë. Kjo i bie që gjatë mandatit të Shpend Ahmetit nuk është ndërtuar deri më tash asnjë metër shteg për çiklistët.

Për këtë ka ankesa edhe nga ata që intensivisht merrën me çiklizëm. Njëra nga këta persona është edhe Engesa Vitit, anëtare e anëtare e grupit të çiklistëve nga Prishtina ‘Adventure Trips Kosovo’.

Ajo për Ballkani.info thotë se rruga e vetme që ka shteg të çiklistëve në rrugën B, gjatë gjithë kohës është e zënë me vetura, karroca të fëmijëve, etj.

“Ne patëm biseduar me disa asambleistë nga Komuna e Prishtinës në mënyrë që ta ngjyrosim vullnetarisht shtegun në rrugën B, vetëm që të dallohet që është për çikilistë, mirëpo, përgjigja nga ata ka qenë që nuk kanë mjete për të na blerë ngjyrën”, ka thënë Vitia.

Mungesa e shtigjeve po u shkakton vështirësi në lëvizje çiklistëve të Prishtinës.

“Kemi problem me shoferët, të cilët nuk na respektojnë në komunikacion, asnjëherë. Për këtë arsye ne protestojmë çdo të premte të fundit të çdo muaji, përmes ‘Critical Mass Prishtina’, ku kërkojmë të drejta tona. Ne përmes kësaj nisme mbledhim me tepër se 200 pjesëmarrës çdo muaj”, ka shtuar Vitia.

Për vetëdijësimin e shoferëve dhe të çilistëve ky grup organizon eventin ‘Night Ride Prishtina’. Këtë aktivitet thonë se e realizojnë për t`i vetëdijësuar çiklistët të mos pedalojnë pa sinjalizues, me ç’rast secila biçikletë ka më tepër se dy drita, para dhe pas.

Poashtu, ata kërkojnë nga shoferët t’i respektojnë edhe gjatë mbrëmjeve, ngase në orët e vona, sipas tyre shoferët janë edhe më të pakujdesshëm. /Ballkani.info/