Shpend Ahmeti ngre alarmin, Ministria që udhëhoqi Arben Vitia e rrënoi spitalin që ishte i mbuluar me azbest

Debat i ashpër është zhvilluar sot në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Asambleisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi e ka ngritur çështjen e ndërtimit të objektit banesoro-afarist në pronën e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).

Për të gjitha kritikat e Azemit është përgjigjur kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

“Para se me fol Egzon, nuk është mirë me kërcënu me burg, se nuk je as prokuror e as gjykatës, kurgjo nuk je”, i ka thënë Ahmeti, asmbleistit të VV-së, shkruan Ballkani.info.

Tutje Ahmeti ka thënë se NPB-ja nuk i takon asnjëherë kryetarit, sepse dy përfaqësues, dy aksionarë janë të Kuvendit Komunal dhe Kuvendi vendos me shumicë demokratike se kush janë përfaqësuesit e saj në NPB dhe kështu merren vendimet me shumicë.

“Qeky projekt si ide për t’u ndërtuar në atë vend ka nisur në fund të vitit 2014 nga drejtori Nexhat Krasniqi. Sa i përket se a duhet të ndërtohet aty, unë nuk kam fije dyshimi, sepse prej një prone të pavlefshme, komuna e do të përfitonte shumë. Prej një vendi ku kanë qenë baraka do të krijohet një fond banesor dhe NPB-ja është në përfitim, ashtu edhe komuna”, ka sqaruar Ahmeti.

Sipas tij, procedurën që e ka përdorur NPB-ja, përgjegjësinë ligjore e ka bordi dhe ajo është nën hetime.

Sa i përket azbestit, për çka edhe janë pezulluar punimet në Lakrishte, në pronën e NPB-së, leja e rrënimit është pezulluar, ka thënë Ahmeti. Ai ka shtuar se kjo është bërë sipas kërkesës së drejtorisë së inspeksionit të Komunës së Prishtinës.

“Se a janë rrënuar objekte në Prishtinë me azbest, ua përkujtoj rastin e fundit, hiç më larg se katër muaj për spitalin e COVID-it nga një kompani e pa licencuar. I kemi 6-7 raste vetëm sivjet që janë rrënuar me azbest. Pra në qoftë se kanë qenë kancerogjene kanë qenë për krejt”, ka thënë Ahmeti, duke lënë të kuptohet se kjo është bërë me vendim të ish ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ajo për të cilën ka folur Ahmeti është depoja e barnave (vaksinave) ku kanë qenë depot e vjetra të QKUK-së. Ky projekt është financuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Në vazhdim mund ta dëgjoni debatin e plotë sot në Kuvendin Komunal të Prishtinës: