Shpend Ahmeti i pakënaqur me rezultatin e PSD’së, i drejtohet LDK’së dhe Vetëvendosjes

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, është deklaruar përsëri, pas përfundimit të numërimit preliminar të votave të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Ahmeti është shprehur i pakënaqur me rezultatin që ka arritur partia e tij, e cila në zgjedhje kishte hyrë në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai i është drejtuar edhe Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, si partitë që kanë dalë e para, përkatësisht e dyta nga zgjedhjet.

“Tani që përfundoi numërimi preliminar i zgjedhjeve të 6 tetorit, porosia e votuesve ishte e qartë. Është e qartë dhe për atë se kush duhet të jetë në pozitë e kush në opozitë”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social.

“Shpresojmë në certifikimin sa më të shpejtë të rezultateteve dhe formimin e institucioneve për shkak të përgjegjësive që presin bartësit e ri të institucioneve. Çfarëdo zhagitje në certifikim është vetëm shenjë e humbësve të dobët. Çfarëdo hezitimi në koalicion nga dy partitë është në kundërshtim me deklaratat e dhëna para zgjedhjeve”, ka thënë Ahmeti.

“Siç kam thënë natën e parë, urojmë fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje. Pa marr parasysh dallimeve urojmë punë të mbarë në realizimin e zotimeve që i kanë dhënë, posaçërisht me ato që pajtohemi”, është shprehur ai.

“Për PSD, ky ishte një rezultat jo i kënaqshëm, por edhe porosi nga votuesit për vendimet e marra. Ne edhe sot besojmë se kanë qenë vendime të drejta në interes të shtetit të cilat qytetari qartazi nuk i ka përkrah në nivelin e duhur”, ka deklaruar Ahmeti.

“Ne vazhdojmë të besojmë në barazi, mirëqenie e solidaritet. Do ta përkrahim qeverinë e re në pika të interesit nacional dhe ku pajtohemi, si psh dialogu me Serbinë ku nuk ka ndryshim të kufijve e nivel të tretë të qeverisjes e deri te insistimi në rritjen e pages minimale. Por edhe do ta kundërshtojmë e monitorojmë për vendimet që nuk pajtohemi”, ka shkruar ai.

“Do ta fillojmë një rindërtim të relacionit me qytetarin për të vazhduar luftën për socialdemokraci e mirëqenie në Kosovë”, ka përfunduar Ahmeti.