Shpejtim Bulliqit më s’i duhet as viza e as liberalizimi, ai është pajisur me pasaportë të Shqipërisë

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës do të mbahen nesër, më 29 nëntor.

Në këtë garë janë tre kandidatë, Nexhmi Rudari nga LDK, Shpejtim Bulliqi nga VV dhe Naim Fetahu nga PDK.

Zgjedhjet në Podujevë po mbahen pasi që ish kryetar Agim Veliu dha dorëheqje për t’u bërë ministër i Punëve të Brendshme.

E njëri nga kandidatët për mandatin tetë mujor si kryetari i Podujevës është edhe Shpejtim Bulliqi, i cili kundërshtoi demarkacionin me Malin e Zi bashkë me kolegun e tij, Florim Isufi. Ky kundërshtim më pas mori edhe mbështetje të opozitës së atëhershme, ku me gazlotsjellës dhe forma të tjera të dhunshme u ndalua votimi në Kuvend, shkruan Ballkani.info.

Ky kundërshtim dhe mosvotimi aso kohe i demarkacionit u tha se e la Kosovën pa liberalizim të vizave.

E tash Bulliqi më nuk do të ketë nevojë për vizë që të udhëtojë në Zonën Shengen e as për liberalizim.

Ai së fundi bashkë me gruan e tij është pajisur me nënshtetësi të Shqipërisë. E Shqipëria është në Zonën Shengen të lëvizjes, ndërsa Kosova ende vuan për këtë qasje.

Ballkani.info e ka parë dekretin e lëshuar ditë më parë nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ku Shpejtim Bulliqi dhe gruaja e tij kanë marrë shtetësinë shqiptare. /Ballkani.info/