Reagim

Shoqëria Civile i reagon Europa Nostra-s: Rishikojeni vendimin për Manastirin e Deçanit

Organizatat e shoqërisë civile i kanë reaguar organizatës Europa Nostra për përfshirjen e Manastirit të Deçanit në “7 Monumentet më të rrezikuara të Evropës”.

“Ne, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, shprehim shqetësimin tonë të thellë për përfshirjen e Manastirt të Deçanit në Listën ‘7 Monumentet Më të Rrezikuara të Evropës’ për vitin 2021 nga federata pan-evropiane e orgaizatave jo-qeveritare aktive në fushën e e trashëgimisë kulturore e njohur si EUROPA NOSTRA. Ne vlerësojmë se përfshirja e njërit prej monumenteve më të rëndësishme të Kosovës në këtë listë, vlerat e të cilit tashmë janë të njohura si vlera universale të përfshira nga UNESCO në Listën Botërore të Trashëgimisë Kulturore, është pasqyrim i rrejshëm i realitetit në Kosovë me tendencë për ta paraqitur mjedisin tonë si të rrezikshëm për sigurinë dhe mirëqenien e Manastirit të Deçanit”, thuhet në reagim.

Tutje, organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar nga Europa Nostra që të rishikojnë vendimin dhe të vizitojnë Kosovën për të parë faktet në terren.

“Prandaj, ne, organizatat e shoqërisë civile kërkojmë që EuropaNostra ta rishikojë vendimin e vet duke u bazuar në të dhënat të cilat lehtësisht mund të faktohen në terren. Ne e ftojmë Europa Nostra për një vizitë në Kosovë për t’u takuar me të gjithë hisedaret dhe për t’i verifikuar të gjitha të dhënat konform kritereve të programit ‘7 Monumentet Më të Rrezikuara të Evropes’ . Kjo do ta bënte punën e Europa Nostra kredibile dhe të besueshme për të gjithë. Derisa kjo të bëhet, ne, organizatat e shoqërisë civile mbetemi të shqetesuar dhe të brengosur për efektet negative të vendimit të Europa Nostra, i cili në vete paraqet potencial për ta minuar procesin për ndërtim të besimit të ndërsjellë në mes komunitetëve në Kosovë”, thuhet në reagim