"Mirëdita, dobar dan"

Shoqata joqeveritare nga rajoni e dënojnë ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd

Nëntëdhjetë organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë nga rajoni u bënë thirrje të hënën autoriteteve serbe ta rishqyrtojnë vendimin për ndalimin e mbajtjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd, si dhe t’i mbrojnë organizatorët e tij.

“Ne e dënojmë vendimin e autoriteteve në Serbi për ndalimin e festivalit vetëm sepse u sulmua nga struktura kriminale, anëtarë të grupeve të djathta që kërcënojnë sigurinë dhe kërcënojnë më rëndë organizatorët dhe pjesëmarrësit e tij”, thuhet në deklaratën e përbashkët të shoqatave nga Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Ato dhanë “mbështetje të fortë për kolegët e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut dhe Iniciativën Qytetare nga Serbia, si dhe për Integra nga Kosova, festivali i të cilëve, që promovon miqësinë dhe bashkëpunimin midis popullit serb dhe shqiptar, është ndaluar në Serbi”.

Ato shprehën “shqetësim serioz për qëndrimin negativ” të zyrtarëve më të lartë të Serbisë ndaj festivalit.

Qeveria serbe ndalon festivalin “Mirëdita, dobar dan”

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të rishqyrtojnë vendimin për ndalimin, të mbrojnë kolegët tanë dhe të sanksionojnë të gjithë ata që kërcënojnë sigurinë e tyre”, thuhet në njoftim.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë më 27 qershor urdhëroi që festivali të mos mbahej, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Paraprakisht, gjatë 27 qershorit grupe të djathtistëve dhe tifozëve bllokuan hyrjen në zonën ku ishte paraparë të bëhej hapja e festivalit.

Policia, e cila nuk ndodhej në vendngjarje, shumë shpejt urdhëroi “ndërprerjen” e festivalit për shkak të “rrezikimit të sigurisë”.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se nuk ka parë arsye që në Serbi të ketë festival sikurse “Mirëdita, dobar dan”, duke theksuar se personalisht beson se përgjigja më e mirë ndaj organizatorëve të ngjarjes është “shpërfillja”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me vendimin e autoriteteve serbe për ndalimin e mbajtjes së festivalit, Serbia shfaqi “përsëri armiqësinë e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me paqe dhe pajtim”.

Ndalimi i festivalit u dënua nga disa parti opozitare në Serbi, ndërsa Bashkimi Evropian shprehu keqardhje.

Një nga organizatoret e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, Sofija Todoroviq, u kërcënua përmes një letre që i është dërguar në adresë të saj, një ditë pasi autoritetet shtetërore serbe ndaluan mbajtjen e këtij festivali në Beograd.

Letra kërcënuese u shoqërua edhe me një kuti, brenda së cilës ishte vendosur koka e prerë e një derri.

Në letër thuhej se “situata në botë po ndryshon dhe kohë të tjera po vijnë”.

Letra kërcënuese u nënshkrua nga “Patrulla Popullore”. Kjo është një organizatë e paregjistruar ultra-djathtiste, e njohur për veprimet e saj kundër emigrantëve dhe lidhjeve ideologjike që ka me grupet nga Federata Ruse.

Prokuroria në Beograd urdhëroi identifikimin e personit që dërgoi pakon me mesazhin kërcënues.

Festivali “Mirëdita, dobar dan” mbahet herë në Kosovë dhe herë në Serbi prej vitit 2014 dhe qëllimi i tij është përmirësimi i bashkëpunimit kulturor mes artistëve të Kosovës dhe Serbisë.