Shokohet Britania: shuhet në moshën 17-vjeçare ylli i BBC-së, Mya-Lecia Naylor
Aktorja britanike Mya-Lecia Naylor, ylli fëmijë i BBC, ka vdekur më 17 prill në moshën 17 vjeçare, raporton “The Guardian”. Shkaku i vdekjes nuk dihet ende.
Aktorja e re njihet për rolet e saj në seritë e CBBC “Almost Never”, “Millie Inbetween”, “Absolutely Fabulous”, dhe ka performuar kohët e fundit në kuadër të bendit “Angels n’ Bandits”.
Ajo ishte pjesë e familjes së fëmijëve të BBC dhe aktore, këngëtare dhe valltare shumë e talentuar”, – thuhet në njoftimin e CBBC.
Alecia Webb, drejtoresha e BBC për fëmijë, tha se lajmi i vdekjes së aktores së re i ka pikëlluar dhe shqetësuar kolegët e saj.
“Ajo shkëlqeu shumë në ekranet tona, dhe është e paimagjinueshme që nuk do të jetë pjesë e udhëtimit tonë tutje”, – tha Alecia.
“Ajo ishte jashtëzakonisht e popullarizuar në mesin e publikut tonë, një aktore, valltare dhe këngëtare shumë e talentuar dhe një shembull i vërtetë për fansat e saj të rinj”, – shtoi ajo.
Mya-Lecia u shfaq fillimisht në ekrane si fëmijë në “Absolutely Fabulous”, ajo e luajti vajzën e Saffyt, Jane. E kishte një rol filmik në “Cloud Atlas”, filmin e vitit 2012, së bashku me Halle Berry (52) dhe Tom Hanks (62).
Në rrjetet sociale nga aktorja e re po përshëndeten anëtarët e familjes dhe kolegët.
“Ajo ishte një gëzim i vërtetë në setin e serisë ‘Absolutely Fabulous’. Ua dërgoj gjithë dashurinë time anëtarëve të familjes dhe miqve. Prehu në paqe vajzë e bukur”, – shkroi kolegia e saj nga seria ‘Absolutely Fabulous’, Emily Atack (29).