Shoferi i makinës ruse Eldin Dergjini, vëllai i deputetes së LSI-së

Eldin Dergjini, i cili drejtonte makinën e blinduar me targa ruse, është vëllai i deputetes Ambra Borova. Gazeta Mapo mëson se Dergjini është vëllai i deputetes së LSI-së, e cila pranoi mandatin e deputetes, duke mos iu bindur vendimit të LSI-së.

Ndërkohë makina me targa ruse nuk rezulton e regjistruar në sistemin doganor. Kjo shton dyshimet se automjeti i blinduar lëvizte në Tiranë me targa të falsifikuara.

Eldin Dergjini ishte shofer i makinës, por policia ka dyshime se ai kishte në makinë edhe një person tjetër, i cili u largua menjëherë pas aksidentin. Në dëshminë që ka dhënë në polici, 34-vjeçari u shpreh se humbi kontrollin e makinës, pasi një mjet tjetër e goditi nga pas.

“Makinën e kam sjellë dy ditë më parë nga jashtë shtetit. Më ka goditur një mjet tjetër nga pas. Humba kontrollin dhe u përplasa me një bordurë. Nuk e pashë kush më goditi. Pas aksidentit mora taksi dhe shkova në spital”, – u shpreh ai.

Mbetet për të zbardhur nga policia, se si një makinë me vlerë rreth 200 mijë euro, e blinduar dhe me targa ruse (H001CH199) drejtohej nga një shqiptar. Aktualisht automjeti G-Class i blinduar ndodhet në Policinë e Tiranës, por nuk janë gjendur sende të paligjshme.

Eldin Dergjini është një person me precedent të mëparshëm penal, pasi në vitin 2014-të ka fyer dhe kundërshtuar punonjësit e policisë. Gjithashtu ai është ndaluar edhe për trafik droge në Itali.

loading…