Policia e Kosovës

Shoferi i Gani Thaçit pjesë e grupit që u kap më 113 kilogram heroinë (FOTO)

Shoferi problematik i Gani Thaçit nuk po i ndalë problemet me drejtësinë. Pak javë pasi së bashku me shefin e tij, Gani Thaçin, u përshi në rrahjen e drejtorit të Byrosë së Sigurimeve, Enis Qerka të shtunën u arrestua për drogë në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë, raporton Gazeta Express. I njëjti dyshohet të jetë pjesë e grupit që një javë më parë u kap me 113 kilogramë heroinë.

Katër kosovarë janë arrestuar të shtunën në Han të Elezit. Atyre iu është konfiskuar edhe një veturë BMW.

Aksioni i policisë është vazhdimësi e atij të 2 dhjetorit të këtij viti, ku policia kapi 113 kg drogë në Prishtinë, me ç’rast kishte arrestuar 4 shtetas të Shqipërisë.

Në mesin e të arrestuarve, në grupin e dytë, në Han të Elezit, është edhe Enis Qerka, shofer i Gani Thaçit.

Qerkës dhe tre të arrestuarve tjerë Gjykata e Prishtinës u ka caktuar të hënën 30 ditë paraburgim.

Masën e paraburgimit ndaj tij dhe tre të dyshuarve tjerë, për Gazetën Express e ka konfirmuar Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Sapo iu është caktuar paraburgimi katër të dyshuarve për rastin të cilin po iu referoheni”, ka thënë zëdhënëse e Gjykatës.

Për dallim nga aksioni i 2 dhjetorit, kur Policia e Kosovës kishte thirrur edhe konferencë për media pas arrestimit të katër shtetasve shqiptarë, të njëjtën gjë nuk e kanë bërë kur u kap të shtunën pjesa tjetër e të njëjtit grup, e që në mesin e të arrestuarve ishte edhe Enis Qerka.

Për këtë rast policia ka dhënë vetëm një njoftim të shkurtër në raportin 24 orësh.

“Lidhur me rastin me date 08.12.2018 janë arrestuar edhe katër te dyshuar meshkuj K-Shqiptar dhe si prova materiale janë sekuestruar: një veturë BMW, disa telefona celular, para etj. Me urdhër te prokurorit te dyshuarit dërgohen ne mbajtje”, ka thënë policia në raporton e së dielës.