Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj një subjekti ekonomik, pas dyshimeve për keqpërdorim të procedurës së lirimit nga detyrimet doganore dhe tatimore për importin e lëndës së parë për prodhim.
Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve të rregullta dhe verifikimeve pas zhdoganimit, zyrtarët doganorë kanë kryer kontrolle dokumentare dhe fizike tek subjekti i pajisur me autorizime për import të lëndës së parë me përfitim të lirimeve doganore dhe tatimore.
Subjekti kishte importuar mallra në vlerë mbi 633 mijë euro, të deklaruara si lëndë e parë për prodhim.
Njoftimi i plotë:
Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj një subjekti ekonomik lidhur me dyshimet për keqpërdorim të procedurës së lirimit nga detyrimet doganore dhe tatimore për importin e lëndës së parë për prodhim.
Në kuadër të aktiviteteve të rregullta të kontrollit dhe verifikimit pas zhdoganimit, zyrtarët kompetentë doganorë kanë realizuar kontrolle dokumentare dhe fizike tek një subjekt ekonomik i pajisur me autorizime për import të lëndës së parë të destinuar për proces prodhues, me përfitim të lirimeve nga detyrimet doganore dhe tatimore sipas legjislacionit në fuqi.
Subjekti kishte realizuar importe të mallrave në vlerë totale mbi 633 mijë euro, të deklaruara si lëndë e parë për prodhim dhe të liruara nga detyrimet doganore dhe tatimore sipas procedurës përkatëse. Mallrat e importuara përfshinin gëzofe natyrale qengji të përpunuara për përdorim në prodhim si dhe materiale të tjera për prodhim të artikujve tekstil dhe aksesorëve prej lëkure.







