Shkullaku: Në Partinë Socialiste ka shumë “Valdrinë”

Rasti i Valdrin Pjetrit në Shkodër konfirmoi sërish një fenomen të denoncuar nga media e opozita prej kohësh.

Por përse arriti qeverisja e Edi Ramës deri në këtë pikë? Çfarë skenarësh na presin? Flet për MAPO analisti dhe gazetari Armand Shkullaku.

Shkodra kishte mbetur bashkia e fundit pa u marrë formalisht nga Partia Socialiste, por me publikimin e dokumentave nga PD, që tregonin se Valdrin Pjetri ishte dënuar në Itali gjithçka ka ndryshuar. Ai ka dhënë dorëheqjen, por a mendoni se kjo situatë më shumë rëndon kryeministrin Rama se vetë kandidatin “fitues” nga votimet njëpartiake të 30 qershorit?

Kjo është një tjetër shenjë e qartë që sistemi, mbi të cilin funksionon Rilindja, nuk është sistem për demokraci funksionale. Është sistem i një njeriu që funksionon si një organizatë në kufijtë e ilegalitetit. Në Partinë Socialiste, nuk është vetëm rasti i Valdrinit, por kemi pasur edhe shumë të tjera, mund të ketë edhe sërish të tjera, kjo sepse filtrat e përzgjedhjes janë shkatërruar, jo se në partitë e tjera kanë qenë apo janë më mirë, por këtu të gjithë janë në funksion të njëshit. Ne e dimë se cilët janë parametrat me të cilat kreu i Rilindjes i përzgjedh bashkëpunëtorët e tij. Nuk është profesionalizmi, por besnikëria, nuk është aftësia, por shërbimi.

Ne kemi parë sesi një parti e madhe është kthyer gati në kope, ku shquhen ata që ‘blegërijnë’ më shumë dhe më mirë. Kemi parë se si një tufë njerëzish, pa ndonjë identitet të spikatur, pa integritet të lartë dhe pa profesionalizëm, sot janë në postet më të larta dhe drejtojnë vendin. Rasti i Shkodrës ishte i fundit, por jo i vetmi. Pas zgjedhjeve tejet problematike të 30 qershorit, ky kryeministër vendosi të hyjë vetëm për t’i marrë ato, pamë show-n e mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste ku një njeri i vetëm (që nuk e ka bërë as Enver Hoxha), caktoi me gisht se cilët do ishin drejtuesit e qarqeve dhe të funksionarëve të tjerë. Sido që të ishte, nëse do kishte pasur një lloj filtrimi, nëse PD lokale e Shkodrës do kishin propozuar tre apo katër emra si kandidatë për bashkinë e Shkodrës, që mund të kishte pasur një lloj konkurrence, mund të përzgjidhnin dy individë me profil të lartë e të përzgjidhej njëri prej tyre.

Kjo lloj demokracie nuk ekziston më. Si shpjegohet fakti që një person që është shpallur ‘non grata’ në listën e zezë të SHBA si Gjushi i Durrësit, që drejtoi për tri mandate rresht, madje i gatshëm edhe për të katërtin nëse nuk do kishin dalë përgjimet, si ka mundësi, që drejtoi edhe do drejtonte qytetin e dytë më të madh në vend?! Cili është background-i, cili është autoriteti publik i Gjushit të Durrësit për të drejtuar një qytet të madh?! Nuk po flasim për Elvis Roshin apo grupin e madh parlamentar që e kishte mbushur me persona me rekorde kriminale. Këta janë elementët që Rama kërkon. Sistemi i krijuar prej Ramës është i tillë, dhe në momentin që nuk vendos filtrat brenda partisë, me siguri që pas Valdrinit do të dalin edhe të tjerë…

Pyetjet e shpeshta që kanë qytetarët është se si është e mundur që edhe kur Rama dhe PS edhe kur nuk kanë rivalë, përzgjedhin kandidatë me të shkuar të errët kriminale? Nuk ka kjo forcë në pushtet intelektualë dhe qytetarë që nuk kanë rekorde kriminale?

Partia Socialiste nuk ekziston më. Kemi të bëjmë me një organizatë politike që e përsëris është në kufijtë e ilegalitetit. Ka një bos në krye të kupolës dhe për t’u bërë pjesë e kupolës, që të ulesh në ato karriget e famshme, ku i puthet dora bosit dhe më pas zë vend, janë këto kritere që përmendëm. Nuk do të shohin aftësitë profesionale, të kaluarën tënde, kontributin që ke dhënë etj. Në këtë moment, kur PS nuk ekziston më dhe kemi një kupolë të tillë, nuk do kemi as profesorë, as inxhinierë, as juristë etj., po do kemi persona pa identitet që do jenë në Parlament, në krye të bashkive apo në institucione të rëndësishme publike. Kjo e ka vrarë Partinë Socialiste.

Deri para shumë kohësh kemi pasur dy modele; modelin e një partie që drejtohet nga dorë të hekurt, nga njëshi, siç ka qenë PD e Sali Berishës, që nuk toleronte mendimin kundër dhe përjashtonte gjithkënd që kundërshtonte, kjo deri në 2005 pasi edhe ai më pas e ndryshoi formën dhe u detyrua të hapë partinë, pasi e kuptoi se në atë mënyrë nuk mund të shkonte para. Ndërkohë, kemi pasur modelin e PS-së, që ishte parti e hapur, pavarësisht pikëpamjeve të liderit, kishte frymë kritike, kishte debate dhe ky model që kishte PS atëherë, i shërbente qeverisë për të ruajtur ekuilibrat demokratikë. Dihet botërisht që Ilir Meta ka qenë kundërshtar i Nanos që në vitin 1992, por sërish mbeti për shumë kohë pjesë e PS-së. Sot kemi një PS që drejtohet më keq sesa drejtohej PD në atë kohë.

Nuk flasim vetëm për përjashtime, për mosvotim të kryetarit, moslejim gare për këdo që ka aspiratë për të ecur para, por flas për një pushtet që tashmë nuk është vetëm politik brenda partisë, por edhe pushteti financiar, që ndikon edhe në shoqëri. Ne e dimë si merren vendimet për koncesionet, kush i përcakton fituesit, cilët janë klientët që lidhen me kreun e organizatës dhe më pas gjithë mekanizmi vihet në funksion të tyre. Në këtë aspekt, kjo e Shkodrës është një pikë e vogël në gotën që është duke u derdhur. E gjithë situata i jep të drejtë opozitës që nuk mund të jetë pjesë e këtij sistemi, ky sistem pa diskutim që po shkon drejt shkatërrimit. Pa ndryshuar rregullat e lojës, nuk mund të vazhdohet më tej.

A mjafton vetëm një “larje duarsh” duke u justifikuar se është një përgjegjësi personale dhe aspak e tij dhe e forcës politike Parti Socialiste? Pas asaj që ndodhi në Shkodër, a është një mënyrë për t’u “rihapur loja”, mund të kemi një indicie që opozita të ripozicionohet për të rrëzuar të gjithë procesin e votimeve të 30 qershorit?

Opozita nuk arriti të bllokojë votimet e 30 qershorit, për arsye të deklaratave të forta nga SHBA-ja. Nuk mendoj që situata e Shkodrës krijon një moment të ri politik, është e njëjta situatë, si para apo pas 30 qershorit. Jemi në një sistem ku pjesëmarrja nuk ka asnjë vlerë, ku vendos ai që drejton. Në këto kushte qenia e opozitës është vetëm një fasadë. Fasadë do ishte edhe sikur PD të kishte marrë disa bashki. Po ashtu ishte opozita edhe në Parlament, pasi nuk mundi që të parandalonte dëmet që mazhoranca i ka bërë vendit. Jemi po në të njëjtin batak. Është momenti për të thënë se sa mirë bënë që nuk hynë në zgjedhjet e 30 qershorit, për t’i treguar opinionit se Rama, edhe kur është i vetëm, bën atë që bëri në Shkodër.

loading…