Shkrimtari serb i bën një kërkesë Kurtit: Zoti kryeministër, padite Serbinë, jeni vonuar shumë

Milos Ciric, shkrimtar serb dhe aktivist për të drejtat e njeriut, ka uruar qytetarët e Kosovës për 12 vjetorin e Pavarësisë.

Ai në një opinion të publikuar në “BalkanInsight”, ka kërkuar nga kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti, që të padisë Serbinë për krimet e luftës dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve.

Sipas tij, Kosova është vonuar në këtë proces.

“Kryeministri i ri nuk duhet të bëjë premtime që ai nuk mund t’i mbajë. Qeveria e tij e re ka detyrim moral ta bëjë pikërisht atë që është zotuar. Nëse jo, Kurti do të bëhet një udhëheqës tjetër i Kosovës që pështyn në fytyrat e panumërta të qytetarëve, vetëm për të shënuar pikë politike, siç ka bërë Presidenti Thaçi. Dërgojeni Serbinë në gjyq për gjenocid dhe krime lufte kundër popullit tuaj, zoti Kryeministër! Procesi është vonuar shumë”, ka shkruar Ciric.

Ciric ka kujtuar se për më shumë se 50 vjet populli i Kosovës i është nënshtruar racizmit sistemik, diskriminimit, poshtërimit dhe degradimit nga Serbia, me miratimin e heshtur të të gjitha ish-republikave të tjera jugosllave.

Në këtë shkrim, aktivisti serb ka goditur rëndë presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe homologun e tij nga Kosova Hashim Thaçin.

Ai ka treguar se Serbinë bashkëkohore, të thuash të vërtetën për shkatërrimin që shteti serb u ka shkaktuar miliona jo-serbëve vlerësohet si propagandë anti-serbe.

“Sjellja zyrtare e Serbisë mbetet e pandryshuar dhe ndjek drejtimin e regjimit të Millosheviqit”, ka shkruar ai, përcjell Bota sot.

Aktivisti serb ka këshilluar Kurtin që të mos përsëris gabimet e së kaluarës.

“Derisa shteti i Kosovës hyn në një fazë më të pjekur, udhëheqësi i saj i ri, Albin Kurti, nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës – dhe të krijojë një marrëdhënie më të barabartë me Serbinë dhe botën”, ka shkruar Milos Ciric.