albin kurti

Shkrimi i vitit 2007| A po e parashikonte Kurti vetën se kur të bëhej i gjithëfuqishëm do të bëhej paranojak?

Kryeministri Albin Kurti shpeshherë duket paranojak para publikut.

Frika e vazhdueshme për luftë, frika se kërkesat e sindikatave janë të shtyra nga opozita dhe se përmes grevës po kërkohet rrëzimi i qeverisë së tij, frika se mediat po organizohen kundër tij janë vetëm disa nga pretendimet që Kurti i shfaqi kohëve të fundit.

E duke shfletuar në shkrimet e hershme të Kurtit, mund të gjendet burimi i paranojave të kryeministrit, shkruan Demokracia.com.

Në një shkrim të vitit 2007, Kurti thoshte se gjithëfuqia është paranojë.

“Gjithfuqia shkakton paranojë, diktatorët përgjatë historisë dhe anekënd botës janë dëshmi për këtë. Secili bëhet i dyshimtë për ta; secili është i rrezikshëm. Por duhet zgjedhur ata që janë më të rrezikshmit, izolimi ose arrestimi i tyre është preventivë dhe shembull. Nëpërmjet izolimeve ua ngushton atyre hapësirën e komunikimit dhe organizimit me të tjerët”, shkruante Kurti.

Ai saktësisht 15 vjet më parë e parashikoi njeriun në të cilin do të shndërrohej vetë kur të vije në pushtet.

“Nëpërmjet arrestimeve i frikëson ata që nuk janë arrestuar. I bën të gëzohen që nuk u arrestuan dhe i shtynë të jenë moderuar në të ardhmen”, shkruante ai.

Ndonëse në atë kohë Kurti mendonte se janë veprime të diktatorëve, megjithatë sot në pozitën e kreut të ekzekutivit, ai bën pikërisht ato që ishte kundër.

Kurti ka shfaqur tendencë të kontrollojë të gjithë, gjykatat, organet e sigurisë.

“Kjo është kollaj e mundshme dhe e zbatueshme: diktatorët kontrollojnë forcat e rendit dhe mbrojtjes, gjykatat, institucionet, mediat e strukturat shoqërore, diktatorët me pushtetin e tyre duan vetëm një gjë: më shumë pushtet. Mirëpo, dikur edhe kjo s’është më e mundshme. Shumë shpejt s’mbetet gjë për të shtrydhur e shterur prej tyre. Dhe, më së voni atëherë, zënë e bëhen paranoikë. Çdo lëvizje ju ngjan të jetë subversive. Sepse nuk duhet të lëvizë asgjë. Sepse përsosuria është arritur. Në Kosovë, UNMIK është diktaturë. PSSP-ja është i gjithëfuqishëm. Kjo është rregulluar me ligj. Qeverisja dhe regjimi antidemokratik janë normuar dhe legalizuar”, shkruante Kurti në vitin 2007. /Demokracia.com/