Shkon në 432 numri i rasteve aktive me koronavirus në Kosovë, situata vlerësohet alarmante

Sot në Kosovë janë regjistruar edhe 58 raste pozitive me koronavirus, kështu duke e dërguar numrin e përgjithshëm të infeksioneve në 1384.

Rastet pozitive janë të shpërndarë në 7 komuna, prej të cilave prin Fushë Kosova me 12 raste, Vitia gjithashtu me 12, Prishtina me 11 raste, Mitrovica me 10, Vushtrria me 9, Prizreni me 3 raste dhe Rahoveci me 1 rast të ri, shkruan lajmi.net.

Prej 1384 rasteve të infeksionit sa janë gjithsej, 921 janë shëruar plotësisht ndërsa 31 raste kanë përfunduar me vdekje – duke bërë kështu që numri i rasteve aktive të infeksioneve të jetë 432.

E lidhur me këtë kanë reaguar edhe institucionet e vendit.

Kreu i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani është shprehur se situata është alarmante dhe se qytetarët duhet t’i respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

Si pasojë e kësaj, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se situata është tepër serioze dhe nëse qytetarët vazhdojnë të mos jenë të kujdesshëm dhe të mos respektojnë rekomandimet, atëherë mund të kthehen masat e izolimit.

Gjithashtu vlen të theksohet se javët e fundit ka pasur raste të koronavirusit edhe në organizatave dhe ndërmarrjeve si Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregëtare dhe biznese private.

Më poshtë mund t’i lexoni të gjitha të dhënat më të fundit, të rifreskuara sonte nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike:

PESËDHJETË E TETË RASTE ME COVID-19!

Sot më 12 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 227 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 58 raste.

Rastet pozitive janë nga: komuna e Fushë Kosovës 12 raste (sipas vendbanimit: 6 raste Miradi e poshtme dhe 6 raste Fushë Kosovë ), komuna e Vitisë 12 raste (sipas vendbanimit: 7 raste Zhiti dhe 5 raste Beguncë), komuna e Prishtinës 11 raste (sipas vendbanimit: 11 raste Prishtinë), komuna e Mitrovicës 10 raste (sipas vendbanimit: 6 raste Mitrovicë, 3 raste Kçiq i madh dhe 1 rast Suhodoll), komuna e Vushtrrisë 9 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Akrashticë, 2 raste Vushtrri, 2 raste Reznik dhe 1 rast Dobërlluk), komuna e Prizrenit 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Prizren) dhe 1 rast me vendbanim në Rahovec.

Në javën e fundit kemi shfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregëtare dhe biznese private.

Nga data 08 shkurt deri më 12 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 17.934 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.384 raste, me gjithsej 31 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.