Turqia i ka konfirmuar shtatë raste të reja të vdekjeve nga koronavirusi në 24 orët e fundit, duke e çuar në 37 shifrën e përgjithshme të viktimave.
Ministri turk i shëndetësisë, Fahretin Koca, tha se deri më tani janë testuar më shumë se 20 mijë persona, ndërsa vetëm për një ditë janë konfirmuar 293 raste të reja të infektimeve, duke e çuar n2 1529 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.
Në një paraqitje të mëhershme të hënën, ky ministër deklaroi se shumica e viktimave të virusit Covid-19 janë persona të moshuar. Dy prej tyre ishin mes moshave 50 deri 60-vjeçare, një e moshës 91-vjeçare, ndërsa të tjerët mbi moshën 61-vjeçare.
Sidoqoftë, ai bëri thirrje që edhe të rinjtë ta mbrojnë veten, sepse nuk janë të përjashtuar nga pandemia, prandaj kërkoi që ata t’i ngadalësojnë aktivitetet, shkruan “Anadolu”.
“Mos hyni në mjedise të rrezikshme. Mos e dërgoni rrezikun në shtëpi. Qëndroni në shtëpi”, tha mes tjerash ministri turk.
Ndonëse shumica e viktimave të koronavirusit në botë janë persona më të moshuar, zyrtarët shëndetësorë kanë frikë se personat e vdekur mund të jenë infektuar nga të rinjtë, të cilët mund të mos shfaqin fare simptoma të sëmundjes as atëherë kur e bartin atë.







