Vrasja e Liridonës

SHKK: Të paraburgosurit për vrasjen e Liridonës janë të shpërndarë në tri qendra korrektuese

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se e ka themeluar një komision hetimor “për t’i sqaruar të gjitha rrethanat” lidhur me incidentet e sotme në Brugun e Sigurisë së Lartë, atje ku po mbahen Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt. Ata, SHKK thotë se “janë të shpërndarë në tri qendra korrektuese”.

SHKK tha se “do të vazhdojë ta mbajë publikun e informuar” mbi këtë rast, ndërsa tregon edhe një herë se ka pasur tentim-sulm ndaj Granit Plavës, i cili dyshohet se është dorasi në rastin e ekzekutimit të 30-vjeçares.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se personat e dyshuar për vrasjen e të ndjerës L.A, janë të shpërndarë në tri qendra korrektuese dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit kanë nivel të lartë sigurisë”, thuhet në reagimin e Shërbimit Korrektues.

“Njoftojmë se ndaj të paraburgosurit G.P, ka pasur vetëm tentim për ta sulmuar gjatë kohës së paraparë për shëtitje. Po ashtu, njoftojmë se nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim, e as për vetëvrasje, në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar, stafi ka reaguar me kohë”, thuhet më tej në njoftim.

Granit Plava akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Naim Murseli akuzohet për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërsa Kushtrim Kokalla për marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Gjykata Themelore e Prishtinës para një jave ka bërë të ditur “dyshimin e bazuar” për planin e Naim Murselit për ta privuar nga jeta “në mënyrë dinake” bashkëshorten e tij. Në marrëveshje me Naim Murselin, Gjykata thotë se Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë e qëlloi me plumb në qafë Liridona Ademajn, pasi bashkëshorti i saj dhe fëmijët u larguan “kinse për të ikur”. Dorasin, sipas Gjykatës, Naim Murseli e kishte pajisur edhe me armën me të cilën ishte kryer krimi.

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar mirë se e organizoi vrasjen e bashkërtes së tij, Liridona Ademajt, para një jave patën paraqitjen e parë në gjykatë.

Gjykata Themelore e Prishtinës ua caktoi nga një muaj paraburgim secilit, pasi sipas gjykatëses së procedurës paraprake, “ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale”.