Shkencëtarët zbulojnë duna rëre të pazakonta në planetin Mars

Një grumbull dunash të pazakonta u zbuluan në planetin Mars nga Orbiteri i Zbulimit të Marsit (MRO), i cili fluturon në një lartësi prej 300 kilometrash mbi sipërfaqen e Planetit të Kuq.

Shkencëtarët vëzhguan dunat pothuajse krejtësisht të rrumbullakëta, një pamje e rrallë për Marsin ku dunat priren të kenë formë të rastësishme dhe të çrregullt.

Asimetria e tyre e lehtë zbulon se anët e tyre të pjerrëta janë përballë jugut, një gjurmë delikate e erërave që fryjnë në të njëjtin drejtim.

Fotoja është marrë nga kamera me rezolucion të lartë HiRise e operuar nga shkencëtarët në Universitetin e Arizonës.

Me këto imazhe, studiuesit gjurmojnë se si akulli në sipërfaqen e Marsit shkrihet ndërsa dimri është duke përfunduar. Një imazh i të njëjtave duna të marra më herët tregon dunat e mbuluara me akull.

Ky është vetëm një nga 60 vendet në Mars të monitoruara nga HiRise e MRO. Kamera me rezolucion të lartë ka qenë në orbitë rreth Planetit të Kuq që nga viti 2006 kur MRO arriti në Mars.

Vëzhgimet e përsëritura të dunave gjatë vitit marsian, i cili zgjat 687 ditë tokësore, i kanë lejuar shkencëtarët planetarë të regjistrojnë se sa shpejt lëvizin dunat. Nga ekuatori në pole, këto struktura duket se përparojnë deri në një metër në vit marsian.

Më 21 dhjetor 2010, misioni primar i MRO-së përfundoi pas 5 viteve dhe 6 muajve. Orbiteri u lëshua nga Toka më 12 gusht 2005. Ky imazh i ri tregon se edhe 12 vjet pas përfundimit të misionit, anija kozmike dhe HiRise ende ofrojnë të dhëna të vlefshme për shkencëtarët.