Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i kryeministrit të shkarkuar Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur ministrit të Jashtëm dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i cili ka komentuar deklaratën e tij, për UÇK-në duke thënë se nuk pajtohet më Gashin pasi që është plotësisht gabim në atë që ka deklaruar.

“Nuk pajtohem me Gashin. Ai është plotësisht gabim. Bile ka gabuar rëndë. UÇK-ja nuk ka bërë krime…Për UÇK-në askush nuk ka mundur të argumentojë se struktura komanduese e saj ka bërë krime”, kishte thënë Konjufca.

E, sipas Gashit, ky reagim i Konjufcës  ka qenë në mëmyrë populliste, duke shtuar se ishte Glauk Konjufca ai i cili ndikoi që të ketë reagime të shumta për të.

Madje, ka thënë se ishte pikërisht Konjufca ai i cili i dha zjarr debatit kundër tij.

“Zelli i tij për tu shpreh në mënyrë populliste pa e parë të gjithë intervistën . Fillimisht ai e ka lëshuar pjesën time të intervistës e cila ka qenë e montuar. Nuk mundesh me u deklaru ashtu pa e parë intervistën e  plotë duke u bazuar vetëm në një montim. Nuk ka kjo asnjë shpjegim kjo”, ka thënë Gashi në Rubikon.

“Është për habinë time që të deklarohet kundër një këshilltari të kryeministrit, posaçërisht kundër meje që njihemi që 20 vite. Nuk e kam pas mundësinë me diskutu me Konjufcën. Është dasht me qenë më i matur Konjufca ashtu siç ishte Rexhep Selimi. Selimi mbajti qëndrim më korrekt se sa ministri i Jashtëm dhe i Diasporës”, ka thënë Gashi.