Shkatërrohet grupi kriminal në Lushnjë, në pranga 3 persona

Në kuadër të operacionit të koduar “Louse”, policia e Lushnjës shkatërroi një grup kriminal që shpërndante droga të forta.

Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 30 doza lëndë narkotike e dyshuar Heroinë, një sasi me lëndë narkotike Cannabis Sativa dhe 1 pistoletë me 8 fishekë.

Pas një hetimi 3 mujor të ndjekur me metodat proaktive nga efektivët e Komisariatit të Lushnjes, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i tre shtetasve: 1.Ervis Çoku, 34 vjeç. banues në Lushnje, Erjon Çoku, 39 vjeç, banues në Lushnje dhe Ervin Kiptiu, 38 vjeç, banues po në Lushnje.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e frekuentuara nga personat e lartpërmendur janë gjetur dhe sekuestruar: 30 doza me lëndë narkotike e dyshuar Heroinë, një sasi lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, një armë zjarri e tipit pistoletë zastava dhe një krëhër me 8 copë fishekë.

Për të tre shtetasit e arrestuar, Gjykata e Shkallës së Parë Lushnje ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 283/2 i Kodit Penal.

Po vijohet me veprimet e mëtejshme hetimore me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale si dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë.