Shkarkohet nënkryetari serb i Kamenicës që fyeu nënat shqiptare, Rahimaj kërkon falje

Dalibor Filipoviq nuk do të jetë më nënkryetar për Komunitete në Komunën e Kamenicës. 

Ai u shkarkua sot nga Kuvendi Komunal i Kamenicës, pas raportimeve të Demokracia.com e cila gjeti statuse të tij në rrjetet sociale që e përkrahte gjuhën e urrejtjes ndaj nënave gjakovare të ish-ministrit Aleksandar Jabllanoviq.

Kuvendi i Kamenicës votoi pro shfuqizimit të vendimit me të cilin, Filipoviq u emërua nënkryetari i dytë i Kamenicës.

Për disa orë opozita dhe ekzekutivi u përplasën rreth asaj se kush e solli këtë emër, kush ia shkroi letrën e dorëheqjes, pse nuk kërkoi falje për statuset ofenduese në rrjetet sociale.

Mediat lokale po ashtu kanë publikuar letrën e dorëheqjes së Filipoviqit.

Filipoviq nuk ka kërkuar falje për gjuhën e urrejtjes, por ka thënë se statuset e tij janë falsifikuar ndonëse Demokracia.com i kishte marrë ato statuse nga profili personal i tij.

“Fillimisht ju falënderoj për besimin që më dhatë që të zgjidhem nënkryetar i Komunës nga radhët e komuniteteve pakicë. Jam i nderuar dhe I motivuar si kurrë më parë që të jap kontributin tim për të mirën e Kamenicës dhe qytetarëve tanë pa dallim etnie. Gjinie e religjioni. Siç jeni të informuar edhe ju, pas votimit tim në Kuvend Komunal, filluan sulme të pandërprera ndaj meje, të orkestruara e të koordinuara nga ish kryetari i Komunës Qëndron Kastrati dhe akter të tjerë serb që njihen botërisht si bashkëpunëtor të tij këtij në Kamenicë. Atlet të caktuar për qëllime të tyre politike dhe të falsifikuan komente e statuse në rrjete të ndryshme sociale, duke i kamufluar nën Facebook-un tim për çka edhe kam kërkuar hetime nga Policia e Kosovës. Unë do të vazhdoj të kërkoj të zbardhet e vërteta dhe nuk lejoj që në ndërgjegjen time të mbetet një akuzë e tillë publike, sepse kurrë në jetën time nuk kam nënçmuar asnjë nënë të një fëmije të vrarë në luftë i cilitdo komunitet që është dhe unë edhe sot bëjë thirrje që për cdo vrasje e padrejtësi të vihet drejtësia në vend. Prandaj, pas një situate të tillë, unë moralisht nuk mund të pranoj që ta udhëheq pozitën e nënkryetarit të Komunës për Komunitete dhe kërkojë që të votohet shfuqizimi i vendimit me të cilin unë jam zgjedhur në këtë pozitë”, ka kërkuar ai nga Kuvendi Komunal.

Ndërkohë Rahimaj i Vetëvendosjes i cili e kishte propozuar për nënkryetar serbin Filipoviq kërkoi falje.

“Sinqerisht po flas, nëse e konsideroni se duhet me kërku falje për një veprim, une po kërkoj falje. Po ne cilin aspekt me kërkua falje? Unë po e pranoj faktin që e kemi pru Daliborin si propozim edhe po them që po, jemi të interesum me e shkarku. Edhe faljen edhe shkarkimin”, është shprehur Rahimaj, para se Kuvendi të votonte për shfuqizimin e vendimit