Shkarkohet drejtori i Policisë së Tiranës pas përplasjes me banorët

Është zyrtarizuar këtë të hënë shkarkimi i drejtorit të Policisë së Tiranës Kastriot Skënderaj, verdikt i cili vjen pak orë pas ngjarjeve të ndodhura në afërsi të Shkollës “Petro Nini” në Tiranë, ku policia u përplas me disa banorë.

Zëvendësuesi i Skënderajt ashtu siç pritej do të jetë Dhimitraq Ziu. Shkarkimi i kreut të policisë së Tiranës ishte një lajm i pritur dhe vetëm njëri nga disa prej të shkarkuarve që pritet t’i bashkohen Skënderajt.

“Manovra” është kryer këtë të hënë në ditën kur policia e Tiranës është përplasur me banorët që u tentua t’i nxirrnin nga shtëpia. Konflikti që tërhoqi sot vëmendje të madhe ka shërbyer si një preteks për të bërë publik vendimet që janë marrë që javën e kaluar, ku Ministri Sandër Lleshaj po bëhet gati të shkarkojë të gjithë kupolën drejtuese të policisë së vendosur nga ish Ministri Fatmir Xhafaj.

“Vendimi i kreut të Policisë së Shtetit për lirimin nga detyra të drejtuesit të Policisë së Tiranës është reagimi i duhur. Nuk mjafton që Policia të jetë ligjërisht në rregull. Prej saj kërkohet më shumë. Ajo duhet të jetë dhe me mendje e zemër në lartësinë që e kërkon ndjeshmëria dhe interesi i publikut. Jo si sot, tek rruga e shkollës “Petro Nini”!”, shkruan Lleshaj në Facebook.