Agron Beka

Shkarkimi i Agron Bekës, reagon Këshilli Prokurorial: Cenim i funksionimit të rregullt

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar pas shkarkimit të Agron Bekës nga pozita e anëtarit të KPK-së.

KPK përmes një reagime janë shprehur të shqetësuar, duke ndjekur punimet në seancën e sotme të Kuvendin të Kosovës, në të cilën deputetët vendosën pro shkarkimit të Bekës.

Këshilli ka paralajmëruar se do t’i përdorë të gjithë mekanizmat kushtetues dhe ligjor për ta kontestuar vendimin e Kuvendit.

Ndër të tjera në reagimin e KPK-së, thuhet se me shkarkimin e Bekës, Kuvendi ka bërë shkelje ligjore.

“Mbi të gjitha, KPK-ja thekson se vendimi i sotëm i Kuvendit të Kosovës është një tentativë e madhe politike për të ndërhyrë në përbërjen aktuale të anëtarëve të KPK-së, duke krijuar para opinionit publik një pasqyrë të rreme faktesh dhe argumentesh, me synimin e vetëm për të penguar funksionimin normal të këtij organi të pavarur kushtetues dhe ligjor. Kjo ndërhyrje për KPK-në është cenim i funksionimit të rregullt të saj.” – thuhet në reagim.

Aty tutje thuhet se Beka ka ofruar prova të mjaftueshme për të demantuar sipas tyre pretendimet e pabaza që dërguan deri te shkarkimi i tij.

“Andaj Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes këtij reagimi publik, bënë me dije përfundimisht se të gjitha insinuatat e partisë politike në pushtet janë shpifje, fyerje dhe keqpërdorim i besimit qytetar.” – thuhet më tej.