Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më herët njoftoi se Turqia është zotuar që të ndalojë kalimin e luftanijeve ruse nëpër Detin e Zi. Por, tani është shkaktuar konfuzion për këto deklarata.

Rusia ka thënë se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për mbylljen e kanalit.

The Guardian raporton se ka spekulime që postimi i Zelensky në Twitter mund të ketë qenë më shumë si kërkesë për Turqinë për të ndërmarrë veprime sesa një konfirmim.

Konventa e Montreux, e cila rregullon ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve, thotë se anijet nga shtetet e Detit të Zi duhet të lejohen të kthehen në port në kohë. Nëse Turqia do të shkonte përpara dhe do të ndalonte anijet luftarake nga ngushtica, ajo do të shkelte konventën.

Ndërkohë, presidenti ukrainas më herët tha se qytetarët e Ukrainës nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e Turqisë.

“Falënderoj mikun tim zotin president Erdogan dhe popullin e  për mbështetjen e fortë. Ndalimi i kalimit të luftanijeve ruse në Detin e Zi dhe mbështetja e konsiderueshme ushtarake dhe humanitare për Ukrainën janë jashtëzakonisht të rëndësishme sot. Qytetarët e Ukrainës nuk do ta harrojnë kurrë këtë”, ka thënë ai.

Ndryshe, që nga dita e parë e sulmit rus në Ukrainë, 198 ukrainas janë vrarë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, ku në mesin e viktimave janë edhe 3 fëmijë, përcjell Demokracia.com.

Ministri ukrainas i Shëndetësisë ka konfirmuar këto të dhëna, duke shtuar se 1115 persona kanë mbetur të plagosur, duke përfshirë edhe 33 fëmijë.

Ndërsa, kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se 35 persona, përfshirë dy fëmijë, mbetën të plagosur nga përleshjet e armatosura gjatë natës në rrugët e Kievit.

Sipas tij, nuk ka prani të madhe ushtarake në kryeqytetin ukrainas, por grupe ruse janë aktive në disa zona.

Ushtria ukrainase thotë se 3500 ushtarë rusë janë vrarë deri më tani dhe 200 të tjerë janë marrë peng. Në postimin e tyre në rrjetin social Facebook thuhet se Rusia ka humbur edhe 14 avionë, 8 helikopterë dhe 102 tanke