Aksidente

“Shkaktari kryesor është faktori njeri”, 16 të vdekur nga aksidentet këtë vit

Aksidenti në Skivjan të Gjakovës, i ndodhur mbrëmjen e së dielës, nuk është i vetmi nga ky muaj që rezultoi me të vdekur.

Deri më tani gjatë marsit, si pasojë e aksidenteve të trafikut humbën jetën edhe gjashtë persona të tjerë.

Statistikat e policisë, tregojnë se për shkaqe të njëjta gjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti, vdiqën edhe nëntë persona të tjerë.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, në një bisedë me Klankosova.tv, tha se shkaktari kryesor i këtyre tragjedive është faktori njeri.

“Faktoret të cilat përmes elementeve të tyre që shkaktojnë aksidente janë: Faktori njeri 85 %, faktori automjet 3-5 %, faktori rrugë 8-10 %, faktori komunikacioni rrugor rreth 1 %, dhe faktori incident rreth 1 %”, u shpreh ai.

Dedaj, tutje tha se masat preventive merren pas hulumtimit të elementeve të faktorëve të cilat kanë shkaktuar aksident, ndërsa shtoi se kjo nuk bëhet për shkak të mungesës së institucioneve përkatëse.

“Te ne nuk bëhen hulumtime për shkak të mungesës së institucioneve përkatëse, prandaj përsëriten aksidentet në të njëjtin vend apo në vende të ndryshme. Sikur të bëhen hulumtimet e shkaktarëve të aksidentit atëherë sigurisht që do ishin marrë edhe masat preventive adekuate”, u shpreh eksperti i komunikacionit.

“Nuk ka shkaktar të aksidentit që nuk mund të merren masa ndaj tij”, theksoi tutje ai.