Shikoni si zhvendoset ndërtesa 5 katëshe pa u shembur asnjë tullë VIDEO

Një godinë 5-katëshe në Shangai, me peshë 7600 tonë, u ngrit nga toka dhe u spostua në një vend të ri, duke përdorur teknologjinë e “makinës që ecën”.

Projekti i zhvendosjes së shkollës për 60 metra, të ndërtuar në vitin 1935, zgjati 18 ditë. Spostimi u bë për shkak të ndërtimit të një qendre tregtare në vendin ku ndodhej më parë shkolla.

Vendimi për zhvendosjen dhe jo prishjen e shkollës u mor për shkak të përpjekjeve të Kinës për të ruajtur godinat historike në qytetet e saj.

Zhvendosja u bë duke vendosur poshtë ndërtesës 200 këmbë robotike të lëvizshme, të cilat ndahen në dy grupe, që ngrihen lartë e poshtë për të lëvizur, duke imituar ecjen e këmbëve të njeriut.