Shfaqet Xhelal Sveçla, akuzon Hotin dhe kërkon zgjedhje në Kosovë

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka adresuar kritika ndaj kryeministrit Avdullah Hot idhe kabinetit të tij qeveritar për keqmenaxhim të situatës me Covid-19.

Sveçla përmes një statusi në Facebook ka thënë se kjo “Qeveri koti”, që nuk ka as plan e as strategji, madje sipas tij duket që nuk ka as vullnet për t’i shërbyer qytetarëve, nuk mund të fshihet prapa hedhjes së fajit e baltosjes së policisë.

Ndërsa krejt në fund ka thënë se është momenti i fundit që në interes të qytetarit, të dalin para tij e vullnetit të tij.

Ky është postimi i tij i plotë:

Hoti, sot paska akuzuar policinë dhe inspektoriatin për mosangazhimin e tyre kundrejt pandemisë.

Se sa e rëndësishme është për Avdullah Hotin dhe LDK-në siguria dhe rendi, na e kanë bërë të qartë qysh në momentin kur kanë vendosur Veliun në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Deri tani, nuk kemi parë as mbështetjen më të vogël të kësaj Qeverie ndaj Policisë së Kosovës. Por përkundër mosmbështetjes, me të gjitha vështirësitë e mungesat objektive, policia ka qenë në nivel të detyrës.

Dështimi për të mbrojtur shëndetin publik dhe jetën e qytetarëve, është dështim i Hotit, Zemajt dhe kabinetit të tij. Moskokçarja e kësaj Qeverie po i kushton qytetarëve me jetë. Andaj, përgjegjësia për keqmenaxhim bie mbi Hotin dhe vetëm mbi të.

Kjo Qeveri koti, që nuk ka as plan e as strategji, madje duket që nuk ka as vullnet për t’i shërbyer qytetarëve, nuk mund të fshihet prapa hedhjes së fajit e baltosjes së policisë.

Avdullah Hoti përgjegjësinë duhet ta kërkojë te vetja e tij dhe ministrat e paaftë të tij.

Prandaj është momenti i fundit që në interes të qytetarit, ti drejtohemi qytetarit. Të dalim para tij e vullnetit të tij.