Sot, Asambleja e komunës së Drenasit, ka marrë vendim që brenda këtij vitit Sheshi “Fehmi Lladrovci”, do të zbukurohet edhe më shumë, sepse, do të vendosen shtatoret e heronjve të pavdekshëm, Shaban, Hamëz e Adem Jashari, Rasim Kiçina, Ilaz Kodra dhe Bedri Shala.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili edhe e kishte propozuar këtë vendim.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Sot, Asambleja e komunës së Drenasit, mori një vendim i cili më bën shumë krenar. Në mbledhjen e rregullt të Asamblesë Komunale, propozim vendimi im, u votua njëzëri.

Brenda këtij viti, Sheshi “Fehmi Lladrovci”, do të zbukurohet edhe më shumë, sepse, do të vendosen shtatoret e heronjve tanë të pavdekshëm, Shaban, Hamëz e Adem Jashari, Rasim Kiçina, Ilaz Kodra dhe Bedri Shala.

Shtatoret e heronjve Rasim Kiçina dhe Ilaz Kodra janë gati, ndërsa pritet të fillojnë edhe shtatoret e Bedri Shalës, ndërsa më 28 Nëntor, presim të finalizohen edhe shtatoret e Komandantit legjendar, Adem Jashari, Hamzës dhe Bacës Shaban.

Kështu, Drenasi, përjetësisht, do të ofroj mikpritjen për heronjtë e vet, duke bashkëjetuar me sheshin dhe gjallërinë e sheshit, për t’u bartur amaneti i tyre, prej gjeneratës në gjeneratë.

Të gjitha shtatoret, do të ndërtohen pa shpenzuar asnjë cent nga buxheti i shtetit, ndërsa rreth donatorëve, do të publikohet lista e plotë me emra dhe vlerën e donacionit.

Faleminderit Kryetar i Asamblesë Halilaj, faleminderit për secilin asamblistë.
Drenasi ishte vatër e UÇK-së dhe lirisë tonë!