Sheshel sheh ëndrra: Albright ishte në lidhje dashurie me Thaçin, deshëm t’ia blejmë një xherdan

Vojisllav Sheshel, politikani ultrancionalist serb dhe kryetar i partisë SRS, pretendon se di shumë të vërteta për ndërhyrjen e NATO-s në ish Jugosllavi 20 vjet më parë.

Sipas tij, në qeverinë e atëhershme serbe kishin planifikuar që sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright t’i jepnin ryshfet duke ia blerë një xherdan të shtrenjtë në mënyrë që të ndaleshin sulmet e NATO-s ndaj Serbisë.

Shesheli, i cili në kohën e sulmeve të NATO-s ishte zëvendëskryeministër i Serbisë, ka thënë se dikush nga udhëheqësit serb në fund të vitit 1998 dhe në fillim të vitit 1999 seriozisht propozuan që Albrightit t’i blihet një xherdan në vlerë 1 milion dollarë, shkruajnë mediat serbe, transmeton Ballkani.info.

Megjithatë, siç thotë ai shërbimi informativ serb kishte ardhur deri tek informacionet se Madeleine Albright ishte në “lidhje dashurie me shefin e UÇK-së, Hashim Thaçi” dhe se më pas ishte vendosur që të hiqet dorë.

Sipas fjalëve të tij, kreu i shtetit serb frikësohej nga bombardimet e NATO-s dhe propozonin ide se si të parandalohet sulmi.

“Me kujtohet rasti kur dikush në Qeveri tha se duhet Madeleine Albright t’i blejmë xherdan të vlefshëm 1 milion dollarë. Megjithatë, më pas morëm informacione nga shërbimet tona të sigurisë se ajo ishte në lidhje dashurie me Thaçin dhe ideja jonë nuk kishte më kuptim. Asgjë s’do të mund të arrihej me dhuratë luksoze”, ka thënë Sheshel. /Ballkani.info/