Sherr për Kaçifën, plagosen me sende të forta shqiptarë dhe grekë

Një grindje mes shqiptarëve dhe grekëve ka ndodhur në Athinë pas debateve në rrjetet sociale për ekzekutimin e ekstremistit grek nga RENEA.

Tre grekë dhe tre shqiptarë të plagosur është bilanci i përleshjes në një park në zonën Jeraka të kryeqytetit grek.

Policia thotë se dy grupet fillimisht janë përballur me njëri-tjetrin në rrjetet sociale dhe më pas janë takuar në zonën Jeraka, ku janë përleshur duke përdorur sende të forta, thika dhe zinxhirë, madje në vendngjarje është gjetur edhe një pistoletë, bën me dije policia greke.

Të plagosurit u dërguan në dy spitale të ndryshme të Athinës. Ata kanë mohuar që sherri të ketë qenë për vrasjen në Bularat, duke thënë se kishin diçka personale që vendosën ta zgjidhnin me thika.

Policia ka vendosur patrulla pranë ambasadës dhe ka kërkuar nga banorët që të shamngin bisedat nacionaliste në shtëpi, pasi mund të bëhen shumë kollaj shkas për akte të dhunshme të adoleshentëve në rrugë.

Mbrëmjen e së dielës, përpara Ambasadës Shqiptare në Athinë, u organizua edhe një protestë për vdekjen e Kostandinos Kaçifës në Bularat të Gjirokastrës. Në protestë ishin edhe dy deputetë të Partisë Agimi i Artë, si dhe eksponentë të organizatave që përfaqësojne minoritetin grek.

Ata kënduan himnin grek dhe hodhën parulla kundër Shqipërisë, ndërsa 35-vjeçarin e cilësuan hero.

Ndërkohë, qeveria greke, nëpërmjet zëdhënësit të saj, njëherësh edhe Sekretar i Shtetit, Dimitris Tzanakopoulos, ka bërë thirrje për politikën shqiptare që të ulë tonet në lidhje me vrasjen e Kacifës në Bularat të Gjirokastrës.

Duke iu përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, ai thotë se tonet e ulëta duhet të respektohen nga qeveria shqiptare dhe se çështja nuk duhet të trajtohet me agresivitet kur një jetë është humbur, në mënyrë që të mos ushqehen reflekset e shoqërive.