Shërohen edhe 5 pacientë, ja sa ka arritur numri i të shëruarve me koronavirus në Kosovë

Sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 173 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore, prej tyre kanë dalë pozitivë 36 raste.

Rastet pozitive janë raste kontakti, nëntë (9) raste nga komuna e Ferizajit (sipas vendbanimit: katër (4) raste Ferizaj, katër (4) raste Talinovc dhe një (1) rast Mirash), tetë (8) raste nga komuna e Kamenicës (sipas vendbanimit: katër (4) raste Topanicë, katër (4) raste Hodonovc), pesë (5) raste nga komuna e Prizrenit (sipas vendbanimit: katër (4) raste Prizren dhe një(1) rast Skorobishte), tre (3) raste me vendbanim në Gjakovë, dy (2) raste me vendbanim në Prishtinë, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicë e veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Suharekë, Lipjan, Ramjan-Viti, Banjë-Malishevë, Studenicë-Istog, Lëbushë-Deçan dhe Zveçan.

Sot janë shëruar edhe pesë pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 71.

 Më datë 15 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar edhe një rast i vdekjes, i gjinisë mashkull me moshë 69 vjeç nga Semetisht-Suharekë, i konfirmuar me COVID-19 me datë 11.04.2020. Pacienti është hospitalizuar në gjendje të rëndë me datë 10.04.2020 dhe ka pasur sëmundje shoqëruese kardiake.

Nga data 08 shkurt deri sot, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.720 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 423 me 9 raste të vdekjes.