Sherifi ia kujton kryeministrit deklaratën për hapat dhe ecjen: “Kurti kërcënon Vuçiqi vepron”

Anëtari i Nismës, Bilall Sherifi, ka thënë se sa herë që kryeministri, Albin Kurti kërcënon më largim të barrikadave vendoset një barrikadë e re e urdhëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqin.

Sherifi ka thënë se pa u bërë 24 orë nga deklarata e Kurti se “barrikadat do të hiqen brenda disa ditësh, nëse nuk e bën KFOR-i do ta bëjmë ne”, është vendosur një e re në lagjen ku jetojnë edhe shqiptarët.

Ai ka kujtuar edhe deklaratën e Kurtit të viti 2011, kur fliste për hapat e që sipas Sherifit, Kurti ka bërë vetëm hapin e parë.

Shkrimi i plotë i tij:

Kurti kërcënon Vuçiqi vepron!

Saherë që kryeministri Albin Kurti kërcënon me heqjen e barrikadave, Aleksandër Vuçiq urdhëron vendosjen edhe të një barrikade tjetër! Hiç më larg se dje, përmes një mediumi boshnjak, Kurti sërish deklaroi që “barrikadat do të hiqen brenda disa ditësh, nëse nuk e bën KFOR-i do ta bëjmë ne”! Mirëpo pa kaluar as 24 orë nga kjo deklaratë, në vend që të hiqen të vjetrat, me urdhër të Vuçiqit është vendosur një barrikadë e re, madje, jo më vetëm në pjesët kufitare ku jetojnë vetëm qytetar serb, por tashmë edhe në lagjen e boshnjakëve në Mitrovicë të veriut, aty ku jetojnë edhe shqiptarë edhe boshnjakë!

Për zhvillime të njëjta në veri të vendit në vitin e “largët” 2011, Albin Kurti deklaronte: “nëse është menduar vetëm hapi i parë atëherë mund të bëhet edhe më keq se që ka qenë deri më tash, sepse hapi mbetet veçse një hap, hapi nuk e përbën ecjen, ecjen e përbëjnë hapat, shumë hapa të bashkërenduar”!

Nga ajo që kemi parë deri më tani, nuk duket se kemi të bëjmë me “shumë hapa që përbëjnë ecjen”, më shumë duket që kemi të bëjmë vetëm me “hapin e parë”!