Që nga themelimi i institucioneve në Kosovë, praktika e mbajtjes së punëtorive e trajnimeve jashtë vendit ka vazhduar për shumë vite, duke shpenzuar kështu buxhetin e Qeverisë së Kosovës. Shumë herë është raportuar që mëditjet që marrin zyrtarët publikë për të marrë pjesë në punëtori të ndryshme jashtë Kosovës janë të mëdha dhe po i kushtojnë buxhetit shumë. Një praktikë e tillë nuk është ndërprerë dhe po zbatohet edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Rreth 40 zyrtarë të SHKK-së kanë ‘zbarkuar’ në hotelin Royal G në Durrës, në emër të një trajnimi tre ditor. Në mesin e zyrtarëve që janë atje ka edhe zyrtarë ndaj të cilëve janë iniciuar procedura disiplinore.
Ky trajnim që po zhvillohet jashtë vendit, ka pasur mundësi të mbahet edhe në Kosovë, pasi ka hotele e resorte të mjaftueshme ku mund të mbahen punëtoritë e tilla, por siç duket kjo nuk ia ka mbushur syrin SHKK-së dhe kanë marrë rrugën për në Shqipëri.

Sinjali ka publikuar listën me emrat e të gjithë zyrtarëve që po marrin pjesë në këtë trajnim, në mesin e të cilëve ka zyrtarë nga Burgu i Sigurisë së Lartë, nga Qendrat Korrektuese në Lipjan, Gjilan, Smrekonicë e nga Qendra Operative.
Raportohet se janë shfrytëzuar edhe disa vetura zyrtare për transport, e në mesin e tyre mund të jenë edhe së paku dy automjete për transportimin e të burgosurve (informacion ky që mbetet për t’u konfirmuar).
Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës e kanë konfirmuar se një punëtori e tillë është mbajtur, teksa s’kanë dhënë përgjigje në pyetjet e tjera.
Ndryshe, në vitin 2020, Qeveria Hoti pati marrë vendim që të ndalohet organizimi i punëtorive jashtë vendit, të cilat zhvilloheshin nga ministrisë, agjencitë dhe njësitë e tjera brenda sistemit ministror.







