Afër shtatë milionë euro kanë shpenzuar klubet e Superligës së Kosovës në futboll për gjatë vitit 2021. Kjo bazuar në shifrën të cilën e ka mësuar Demokracia.com nga burime brenda klubeve kosovare.
Skuadrat e elitës së futbollit kosovar pothuajse për çdo vit kanë shënuar rritje sa i përket shpenzimeve brenda një viti kalendarik, duke përfshirë pagat e futbollistëve dhe stafit, udhëtimet e detyrime të tjera.
Nga ajo që ka mësuar gazeta nga burimet e saja brenda klubeve që bëjnë gara në Superligë, shuma e shpenzimeve të të gjitha klubeve kap shifrën e 6 milionë e 880 mijë eurove.
Redaksia jonë e sportit më poshtë ju sjellë shpenzimet që kanë bërë klubet kosovare përgjatë këtij viti, i cili përkundër vështirësive që solli pandemia COVID-19, nuk ka ndikuar shumë në kuletën e “bosëve” të klubeve të cilat nuk kanë kursyer asgjë për të sjellë përforcime me paga mjaft të majme.
FC PRISHTINA – 1.2 milion euro
Kampionët në fuqi të Kosovës, FC Prishtina është klubi që ka investuar më së shumti nga skuadrat tjera brenda këtij viti.
Kryeqytetasit nga ajo që ka mësuar gazeta, kanë shpenzuar 1.2 milion euro vetëm në paga e që është një shifër mjaft e lartë.
Klubi më i trofeshëm i futbollit kosovar këtë vit u stolis me titull të kampionit pas tetë vjetësh pritje dhe mori pjesë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

DRITA – 1 milion euro
Drita, si nënkampione në fuqi e Superligës edhe këtë vit si vitet e kaluara nuk ka rënë nën shifrën e 1 milion eurove të investuara në skuadër për gjatë vitit 2021.
“Bardhekaltrit” nga Gjilani mbyllën edicionin e kaluar në pozitën e dytë, ndërsa luajtën në garat e Ligës së Konferencës.
Gjilanasit në gjysmë-dekadën e fundit janë ndër klubet më të organizuara në elitë me shpenzime “stratosferike” të cilat për vendin tonë janë shifra tejet të larta.

BALLKANI – 1 milion euro
Sikurse Drita e Prishtina ashtu edhe Ballkani mësohet se kap shifrën e investimeve të 1 milion eurove në vitin 2021.
“Portokallezinjtë” në dy apo tri vitet e fundit kanë hyrë në atë që njihet në zhargonin kosovar si “katërshja e madhe” e Superligës me investime larta.
Suharekasit ndonëse ende nuk kanë triumfuar në kampionat dhe nuk kanë arritur daljen në arenën evropiane, investimet nuk i kanë ndalur për asnjë moment duke plotësuar të gjitha kushtet për lojtarët dhe stafin.

LLAPI – 930 mijë euro
Klubi tjetër që njihet për shpenzime të larta brenda një viti është edhe Llapi.
Llapjanët këtë vit që po e lëmë pas kanë investuar shifrën prej 930 mijë eurove.
Me këto shifra të investuara, Llapi u stolis me Kupën e Kosovës dhe Superkupën e Kosovës, si dhe morën pjesë në garat për Ligën e Konferencës.

GJILANI – 900 mijë euro
Radha është për klubin tjetër nga Anamorava, SC Gjilanin.
“Kuqebardhët” për gjatë vitit 2021 kanë shpenzuar hiç më pak se 900 mijë euro.
Klubi gjilanas kur bëhet fjalë për gjendjen financiare qëndron jashtëzakonisht mirë, duke u konsideruar si një nga klubet më korrekte sa i përket obligimeve për futbollistët dhe stafin tjetër sikurse klubet e tjera të mëdha që kanë synime madhore.

FERONIKELI – 600 mijë euro
Feronikeli, ish-kampionët e Kosovës janë paraqitur me “dy fytyra” këtë vit.
“Industrialistët” kishin shpenzime rreth 70 mijë euro në muaj brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti.
Situata ndryshoi për të keq në gjysmën e dytë të vitit, kur klubi u zhyt në një krizë financiare, duke rënë shifra e shpenzimeve në muaj në vetëm 25 mijë.
Në një llogaritje të thjeshtë del se Feronikeli brenda këtij viti ka investuar 600 mijë euro.

DRENICA – 550 mijë
Klubi tjetër nga i njëjti rajon është edhe Drenica. Demokracia.com mëson se shifra që shpenzon Drenica brenda një viti kap shumën e rreth 550 mijë eurove
Përkundër se Drenica në të shumtën e rasteve e mbyll edicionin në mes të tabelës, kjo nuk i ka ndaluar “kuqezinjtë” që të bëjnë shpenzime mesatarisht të kënaqshme.

DUKAGJINI – 450 mijë euro
Dukagjini i Klinës është një nga ato skuadra që gjysmën e vitit e kanë kaluar në Ligën e Parë e gjysmën tjetër në Superligë.
“Hithat” që ishin edhe finalist në Kupën e Kosovës edicionin e kaluar si skuadër e Ligës së Parë kanë shpenzuar 450 mijë euro.
Organizimi i klubit klinas është për çdo lëvdatë, pavarësisht se investimet nuk kapin ato që patë në pjesën e epërme të listës.
Sidoqoftë, duke parë seriozitetin e drejtuesve të klubit, Dukagjini mund të futet shpejt në mesin e klubeve që do kenë objektiv edicion pas edicioni trofetë dhe daljen në Evropë.

ULPIANA – 250 mijë euro
Historia e njëjtë sikurse e Dukagjinin, e ka karakterizuar edhe Ulpianën këtë vit.
Klubi simpatik nga Lipjani ka shpenzuar çerek-milion euro duke ndërtuar një skuadër stabile për të garuar në kampionatin elitar të Kosovës, ngase vinin nga Liga e Parë e Kosovës.

Ulpiana gëzon një organizim tejet të mirë, ndërsa është një nga klubet tjera që tregohet mjaft korrekt kur është në pyetje obligimet për futbollistët dhe stafin e skuadrës.
Me shifra të përafërta sikurse Ulpiana është edhe Malisheva që gjithashtu synim këtë vit e ka mbijetesën në shoqërinë elite të futbollit./Demokracia.com/








