I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka realizuar të enjten një vizitë të papritur në Prishtinë dhe është takuar me Kryeministrin e Kosovës për të organizuar një tjetër takim mes Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë Fatmir Seholli.
Sheholli, i cili është drejtor i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, ka thënë për gazetën serbe, Danas, se një dokument i ri për dialogun Kosovë-Serbi, tashmë është hartuar.
Lajçak erdhi zyrtarisht në Kosovë për të aranzhuar një tjetër takim mes zyrtarëve të Prishtinës dhe Beogradit këtë muaj, thotë Sheholi dhe zbulon se sipas informacioneve që pretendon se posedon, është hartuar një dokument i ri për “marrëveshjen përfundimtare”.
“Kemi informacione nga burime të mirëinformuara perëndimore, sipas të cilave BE-ja ka hartuar një dokument me 13 pika që përmban përmbajtje konceptuale shumë të detajuara të ‘marrëveshjes përfundimtare kalimtare’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë drejtori i Institutit për marrëdhënie ndëretnike.
Sheholli ka thënë se vizita e djeshme e Lajçakut në Prishtinë nuk ishte e papritur, duke u bazuar në qëndrimin në Kosovë edhe të emisarit speciale të Gjermanisë, Manuel Sarrazin, disa ditë më parë.







