Legjenda shqiptare

 Shefki Kuqi merr drejtimin e Feronikelit ’74

Legjenda shqiptare e futbollit, Shefki Kuqi, është gati për të nisur aventurën e tij të parë si trajner në futbollin kosovar.

Ai ka arritur marrëveshje tashmë me Feronikelin ’74, skuadër të cilën do ta drejtojë për së paku deri në fund të sezonit.

Kjo është konfirmuar për “Gazeta Express” nga presidenti i klubit nga Drenasi, Erlind Krasniqi.

Krasniqi gjithashtu paralajmëroi se do të ketë edhe ndryshime tjera te klubi që i udhëheq.

“Po, Shefki Kuqi është trajneri i ri i Feronikelit ’74. Po e vazhdojmë me të për t’i arritur objektivat. Në këtë afat të janarit do të ketë edhe ndryshime tjera”, u shpreh Krasniqi.

Vushtrriasi do të zëvendësojë të larguarin, Xhengiz Rexhepi.

Feronikeli ’74 për Kuqin do të jetë skuadra e katërt në karrierën e tij si trajner, pas FC Honka, PK-35 dhe FC Inter Turku.

“Nikli” sezonin vjeshtor e ka mbyllur në pozitën e shtatë, me 21 pikë të grumbulluara pas 18 xhirove.